NGA JETON SELIMI

Faqet e tifozëve deklarojnë se biletat po mbarojnë, por realiteti nuk është aspak i tillë. Deri në mbrëmjen e ditës së djeshme, biletat e shitura për ndeshjen Partizani-Tirana, derbin e madh të kryeqytetit dhe takimin që ka më shumë interes në kampionatin tonë, nuk kanë qenë më shumë sesa 7 mijë të tilla. Dakord, ka ende shumë orë sot në dispozicion dhe çdokush që nuk e ka ende një vend në “Qemal Stafa”, mund ta sigurojë te dy biletaritë tradicionale të kryeqytetit, por nëse ecet me këto ritme, e sigurt që ky derbi do të ketë dhe rekordin më negativ të pjesëmarrjes që prej rikthimit të të kuqve në Superiore. Kujtojmë se sezonin e shkuar, derbi më i ndjekur ka qenë ai i 8 dhjetorit, ku mbi 14 mijë tifozë mbushën “Qemal Stafën”, të ndarë në 9500 vende për tifozët e kuq dhe 4500 për tifozët bardheblu.

Ndërsa deri më tani, sipas raportimeve zyrtare të dy klubeve, tifozëria e kuqe ka blerë 4 mijë vende, ndërsa ajo bardheblu 3500, duke qenë shumë larg pritshmërive. Arsyeja e kësaj ftohjeje ka lidhje me faktin se tifozët e dy klubeve nuk janë aspak të ngrohur me ekipet e tyre, ndërsa Skënderbeu marshon me rimin e një “ruli” duke shkërmoqur me lojë e rezultat cilindo kundërshtar në kampionat.

Partizani
Sulemjan Starova ka jo pak dhembje koke përpara derbit me rivalët e Tiranës. Sulmi është reparti më i prekur, ku Plaku dhe Fazliu duket se nuk do të jenë të gatshëm për lojë, ndërsa Stevan Raçiç ende nuk është në formën e tij më të mirë. Kjo duket se do ta detyrojë trajnerin e kuq që të ketë vetëm Sukajn dhe Morinin si alternativë për sulmin. Gjithashtu, në seancën e djeshme, problem ka shfaqur dhe mesfushori Arsid Tafili. Shkodrani ka lënë stërvitjen përgjysmë për shkak të problemeve fizike dhe duket se nuk do të jetë në dispozicion të “demave” për takimin e sotëm.

Tirana
Tirana ka mbyllur dje përgatitjet në “Skënder Halili” për ndeshjen që do të luajë sot përballë Partizanit. Bardheblutë kanë të gatshëm Olsi Teqen, që ka lenë pas dëmtimin e pësuar në mesjavë dhe është bashkuar në stërvitje me ekipin. Skuadra ka zhvilluar dje seancën e fundit stërvitore, duke marrë udhëzimet e fundit nga trajneri Shkëlqim Muça. Të gjithë në kampin bardheblu e presin me optimizëm dhe qetësi takimin e sotëm.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: