Nuk ka pushime dhe relaks për Skënderbeun edhe pas 10 pikëve të marra në pesë ndeshjet e fundit. Pas fitores me Vllazninë në Shkodër korçarët kanë marrë vetëm dy ditë pushim nga ana e drejtuesve të stafit teknik dhe prej rikthimit nga leja kanë qenë në punë intensive çdo ditë për të përgatitur ndeshjen me Teutën.
Edhe pse situata duket se ka një përmirësim të ndjeshëm në raport me pikët dhe gjendjen psikologjike të ekipit, stafi me në krye trajnerin Ernest Gjoka kërkojnë të “mbrohen” nga çdo ndikim i jashtëm.
Nisur nga të gjitha këto, trajneri i korçarëve ka kërkuar impenjim maksimal nga ekipi i tij dhe përqendrim për ndeshjen e radhës. Një transfertë e vështirë në Durrës përballë një kundërshtari direkt ka bërë që korçarëve tu kërkohet maksimumi. Nisur edhe nga koha e bollshme në dispozicion për të përgatitur këtë takim, Gjoka ka punuar me qetësi duke analizuar çdo detaj që sipas tij ekipi duhet të përmirësojë në pjesën e mbetur të sezonit.
FAVORIZIMI – Edhe pse shumëkush do të dëshironte që pas rezultatit pozitiv të marrë në Shkodër kampionati të vazhdonte rrjedhën normale, duket se ky pushim i ka bërë mirë Skënderbeut dhe jo keq. Dy javë në dispozicion të skuadrës korçare kanë shërbyer që të rikuperojnë lojtarët që kanë pasur probleme fizike në ndeshjet e fundit.
Rasti më i mirë është ai i Liridon Balajt i cili prej ditësh është bashkuar me ekipin normalisht duke lënë pas dëmtimin që e mbajti jahstë fushave për më shumë se tre ndeshje. Nga ana tjetër edhe Shaqe apo Juri që kanë pasur probleme të vogla fizike duket se kanë kaluar gjithçka. Ndaj edhe për këtë Skënderbeu po shkon drejt ndeshjes me Teutën me një organikë të plotë në dispozicion të trajnerit. Aq sa Gjoka duhet të bëjë zgjedhjet e veta për të ndërtuar listën e lojtarëve që do të grumbullojë për këtë ndeshje transferte.