TIRANE– Skënderbeu, pas ndeshjeve me Klub Bryzhin, Ado Den Hagun dhe Ostenden, ka parashikuar tri sfida të tjera në grumbullimin e saj në Spanjë, me tri skuadra gjermane, një prej të cilave është dhe Frajburgu, që aktualisht luan në Bundesligë. Takimi mes Skënderbeut dhe Frajburgut, do të luhet sot pranë qendrës së grumbullimit të ekipit korçar. Lajmi është konfirmuar dhe nga vetë klubi gjerman në faqen e tij në internet. Gjithashtu korçarët do të zhvillojnë dhe dy ndeshje të tjera miqësore, një me ekipin e Vehen të Viesbadenit dhe të fundit me skuadrën e Bundesligës së Dytë, Fortunën e Dyseldorfit, takim që është parashikuar të luhet më 19 janar. Deri në këto momente korçarët kanë humbur të tria ndeshjet miqësore, 0-5 me Klub Bryzhin, 0-2 me Ado Den Hagun dhe 0-4 me Ostenden. Ndërkohë, dy rivalët kryeqytetas të kampionëve, Partizani dhe Tirana, do të zhvillojnë takime miqësore me ekipe të Kategorisë së Parë. Kështu, të kuqtë e kryeqytetit do të ndeshen në “Roza Haxhiu” me Lushnjën, ndërsa bardheblutë do të luajnë me Besëlidhjen në stadiumin “Besa” të qytetit të Kavajës.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: