Nga: Jeton Selimi*
Skënderbeu blindon vendin e parë të paktën dhe për javën e 27-të, ndërsa ka mposhtur në Korçë Vllazninë me rezultatin 3-1. Kampionët ngjiten në kuotën e 57 pikëve dhe presin të qetë përballjet e rivalëve, të vetëdijshëm se matematika u lejon që ta mbyllin fazën e tretë në vendin e parë. Ndaj shkodranëve luhej në një stadium të boshatisur pas ndëshkimit nga disiplina, por sidoqoftë bardhekuqtë kanë bërë detyrën, ndonëse kanë vuajtur në gjetjen e golit. Pjesa e parë ishte monotone, pa raste të rrezikshme, dhe të besuarit e Josës nuk arrinin t’i konkretizonin aksionet, duke u mjaftuar me gjuajtje nga distanca. Rreziku i vetëm në kuadratin kuqeblu do të vijë nga dalja e gabuar e Selimjat (21′), që devijon me vështirësi në shtyllë harkimin e Prognit. Nga ana tjetër, Vllaznia duket se pajtohet me barazimin dhe shfaqet vetëm një herë në zonën e Shehit, kur Dibra nuk arrin të devijojë në rrjetë harkimin e Shtupinës. Edhe pjesa e dytë vijon nën ritmin e 45 minutave të para. Në ndeshje të tilla është e zakonshme të dalë në pah klasi i individëve të caktuar për të zhbllokuar situatën dhe kjo ndodh me kroatin Radas, që lëshon një të majtë perfekte nga goditja e dënimit, për të mposhtur Selimajn në minutën e 56-të. Skënderbeu çlirohet psikologjikisht dhe ka mundësinë e shënimit të golit të dytë, 9 minuta më pas, kur Progni jep një pasim të artë për Berishën, por Selimaj grushton shkëlqyeshëm. Në minutën e 71-të, Vllaznia bën zbritjen e parë drejt zonës kundërshtare në këtë pjesë dhe fiton një penallti, kur Arapi ndal me dorë harkimin e Shtupinës. Nga pika e bardhë godet saktë Gocaj, që barazon shifrat. Por gëzimi i kuqebluve nuk zgjat më shumë se 180 sekonda, pasi Latifi shfrytëzon daljen e gabuar të Selimajt dhe rikthen kampionët në avantazh. Vllaznia nuk gjen më forca për të reaguar, ndërsa Skënderbeu shënon edhe golin e sigurisë 9 minuta nga përfundimi i takimit, kur Marku devijon në portë pasimin e Lilajt.

Rivalët
Sot do të luhen katër takimet e tjera të vlefshme për javën e 17-të të kategorisë superiore. Pa dyshim që projektorët janë drejtuar në Durrës, aty ku Teuta do të presë Tiranën, ndeshje e cila pritet me mjaft interes për të parë reagimin e bardhebluve pas dështimit në derbi. Magani deklaroi pas humbjes me Partizanin se do të rishikonte pozicionin e tij, por presidenti Halili e votëbesoi trajnerin peqinas. Teuta, nga ana tjetër, ndjen nga fare pranë presionin e Apolonisë, pasi dy skuadrat janë të përfshira në luftën për mbijetesë dhe ndahen nga vetëm 3 pikë me njëra-tjetrën. Kukësi pret në “Zeqir Ymeri” Flamurtarin dhe do të kërkojë fitoren për të ruajtur hapin e Skënderbeut e për ta ngushtuar sërish diferencën në 2 pikë. Partizani do të presë Elbasanin në “Qemal Stafa”, ndërsa të kuqtë vijnë super të karikuar në këtë 90-minutësh, pasi të premten kanë mposhtur për të dytën herë në këtë sezon rivalen e përjetshme, Tiranën. Përballë tyre, Elbasani i vendit të fundit dhe jashtë çdo mundësie për mbijetesë, që ndaj të kuqve është mposhtur dy herë me të njëjtin rezultat, 1-0, në takimet e mëparshme.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: