Ecuria fantastike e Skënderbeut në Evropë ka bërë që klubi korçar të jetë një “strofull” perfekte për futbollistët e Kombëtares të mbetur pa skuadër. Sigurimi i fazës së grupeve në Europa League, por mbi të gjitha mundësia për të qenë pjesë e Champions League, ka joshur jo pak futbollistët shqiptarë.

“Eksperimenti” Salihi rezultoi një goditje e vërtetë, një shembull që pritet të ndjekë edhe Andi Lila.

Ish-futbollisti i Parmës, i mbetur pa skuadër, i është bashkuar ekipit të Skënderbeut në seancat stërvitore që po zhvillon në kompleksin “Tropikal”.

Edhe pse mbetet për t’u parë nëse Lila do të arrijë një marrëveshje me drejtuesit e klubit për të qenë pjesë e ekipit në ndeshjen kundër Dinamo-Zagreb apo më tej, në një intervistë për “Panorama Sport”, Andi Lila ka folur rreth këtij rikthimi surprizë në Shqipëri.

“Unë do të jem pjesë e Skënderbeut vetëm për pak kohë. Nuk kam firmosur me korçarët dhe nuk kam biseduar për të qëndruar gjatë. Deri në momentin e gjetjes së një skuadre nga menaxheri im, atëherë do të stërvitem me Skënderbeun. Duke qenë se jam pa ekip, atëherë mendova që të mos e shkëpus stërvitje, por ta vijoj atë me korçarët. Jam stërvitur në Itali, ndërsa trajneri i kombëtares, De Biazi, më ka sugjeruar që derisa të vinë ndeshjet e Kombëtares të stërvitem me Skënderbeun. I falënderoj të gjithë për mikpritjen, ndërsa aktualisht jam pa ekip. Kam disa oferta nga jashtë vendit dhe jam duke i studiuar. E do të bëj zgjedhjen e duhur”, u shpreh Lila.

(er.shk/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: