Skënderbeu i këtij sezoni është shndërruar në një ekip që shënon më shumë, por pëson edhe më shumë se ai i një sezoni më parë. Shifrat janë ato që tregojnë diçka të tillë me korçarët që në gjashtë javët e para, duke i krahasuar me dy sezonet e fundit kanë shënuar dy gola më shumë por në pjesën tjetër, duket se nuk janë në të njëjtin nivel pikësh dhe golash të pësuar.
Skënderbeu i ri i Gvozdenoviç në këtë sezon ka arritur që të grumbullojë shtatë pikë në gjashtë javë. Pikë këto të grumbulluara mes dy fitoresh, një barazimi dhe tre humbjesh. Normalisht që fitorja e fundit ndaj Laçit nxori nga fundi i klasifikimit korçarët që në të njëjtën periudhë të një viti më parë nuk kishin këto probleme.
Kjo pasi në 6 javë, korçarët numëronin 9 pikë me tri fitore dhe tri humbje. Pikë që dot mungojnë kur bën bilancin e një sezoni më parë. Në raport me sezonin e kaluar korçarët, duket se kanë humbur soliditetin në mbrojtje. Nuk është më një ekip i fortë në prapavijë por një skuadër që pëson gola naivë. Këtë e tregon fakti që në gjashtë javët e para të këtij sezoni Skënderbeu ka pësuar 9 herë, ose e thënë ndryshe tre gola më shumë se në të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar. Këto janë pikat ku trajneri Gvozdenoviç po punon me ekipin e tij, për të nxjerrë më të mirën dhe për të përmirësuar defektet që skuadra ka shfaqur në këtë fillim sezoni.
ZGJEDHJET – Nëse do të ndalemi tek organika aktuale trajneri i korçarëve ka një problem më shumë. Duket se këtë vit Skënderbeu është i mbushur me lojtarë që janë thuajse të një niveli duke shtuar edhe ata që kanë më shumë eksperiencë në Superiore. Me afrimin e Dokës dhe Randit duket se bardhekuqve iu janë shtuar lojtarët me eksperiencë por ajo që shqetëson më shumë pankinën korçarë është prania e shumë futbollistëve që duan një vend titullari. Kjo është parë në dy javët e fudnit kur fillimisht në tribunë përfundoi Zenullai dhe Nerguti ndërsa këtë herë i takoi Ramosit dhe Nergutit të kishin të njëjtin fat. Kjo veç ndikimit pozitiv në dhënien e maksimumit nga lojtarët për të kapur një vend titullari ka edhe anën negative. Presioni në pankinë është mjaft i madh dhe Gvozdenoviç duhet të dijë të menaxhojë mësë miri një gjë të tillë për të mos krijuar hatërmbetje apo më keq krisje mes grupit të lojtarëve. Për kryepankinën ky është një luks, por një luks që duhet menaxhuar, pasi të gjithë janë në kërkim të minutave.