E ardhmja e Kristian Panuçit pritet të vendoset pas dy sfidave të nëntorit, kundër Skocisë në Ligën e Kombeve, dhe tre ditë më pas në miqësoren kundër Uellsit. Kjo ishte ajo që la të kuptohet  Armand Dukës në deklaratën e tij, sigurisht një deklaratë e mbështetur në një argumentin logjik. Ndaj Skocisë më shumë se sa për të synuar kokën e grupit, luhet për të mos u renditur në vendin e fundit në Ligën e Kombeve.

Në një rast hipotetik, që sigurisht askush nuk e dëshiron, Shqipëria do të binte në grupin D në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Për kuqezinjtë kjo do të ishte një humbje e madhe, një humbje në imazh, humbje në të ardhura, pasi pjesëmarrja në grupin D do të thotë minus 400 mijë euro, por do të ndërlikonte shumë edhe pozicionimin e Shqipërisë në vazot e UEFA-s për shortin e ardhshëm në kualifikueset e Europianit.

Nëse kuqezinjtë do të zbresin në grupin D, rrezikojnë që në shortin e ardhshëm të pozicionohen në vazon e 5-të, çka do të thoshte kundërshtarë më të vështirë në grup në kualifikueset e Europianit. E gjithë kjo tablo e “zymtë” e bën ndeshjen kundër Skocisë, një ndeshje për tu fituar. Për ketë fakt është i vetëdijshëm edhe trajneri Panuçi dhe nëse dëshiron të qëndrojë në krye të Kombëtares duhet të fitojë takimin e 17 nëntorit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb