Drejtori i Korabit i ka paraqitur dorëheqjen e parevokueshme kryetarit të bashkisë, Muharrem Rama, duke i bërë me dije se nuk është në gjendje të vazhdojë më. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, në lidhje me këtë çështje Fehmi Mëziu është shprehur: “Unë kam investuar për Korabin që kur ishte në Kategorinë e Dytë dhe bashkë me disa miq të mitë dhe mbështetjen edhe të miqve nga SHBA arritëm që ta rikthejmë ekipin në Superiore pas 54 vitesh mungesë.

Por, aty nuk mundëm që të mbijetonim, pasi nuk kemi luajtur asnjë ndeshje në fushën tonë dhe seancat stërvitore i kryenim në Tiranë. Na mungonin ekipet zinxhir dhe që këtu ishte edhe dështimi i bashkisë. Kështu lindi nevoja që skuadra të ngrihej nga e para, ku me mbështetjen e disa dashamirësve arritëm që të ndërtojmë një skuadër dhe të marrim stafin teknik.

Rezultatet pozitive nuk munguan dhe ne si drejtues, deri në muajin tetor, jemi treguar korrekt duke i paguar lojtarët. Por, duke parë që financat po shteronin, trajneri dhe stafi i tij u largua.
Ndërkohë që dua të falënderoj futbollistët që e respektuan fanellën e Korabit deri në ndeshjen e fundit, por unë dua t’i siguroj futbollistët që u kam kaluar në bankë lekët për muajt nëntor dhe dhjetor, por është prej vonesës së bankës që s’janë bërë aktive”, ka thënë Mëziu.

BUXHETI
Mëziu gjithashtu ka zbardhur edhe arsyen e dorëheqjes nga skuadra që ka të bëjë me buxhetin. “Ndër vite buxheti i Korabit është 46 milionë lekë të vjetër dhe ne kemi kërkuar nga bashkia që të jetë 140 milionë lekë të vjetër, pasi kaq e kanë të gjitha klubet e kësaj kategorie. Për këtë arsye i kam paraqitur dorëheqjen kryebashkiakut, pasi me stafin e tij refuzuan kërkesën time, duke më falënderuar për punën që kam bërë. Gjithashtu më konfirmuan se do të kem mbështetjen e bashkisë. Por, unë me eksperiencën time kam mësuar se kur ekipi fiton, thonë që ndeshja ka qenë e blerë, kurse kur humbet, ka qenë e shitur.

Ndaj dua t’u kërkoj tifozëve dibranë që, nëse kanë dyshime që unë kam shitur qoftë edhe një ndeshje, t’i drejtohen prokurorisë dhe gjykatës, pasi dua të jem transparent me të gjithë”, ka mbyllur Mëziu, ndërkohë që nuk dihet se çfarë do të bëhet me skuadrën.
Burimi:http://www.panorama.com.al/sport/korabi-ne-kaos-dorehiqet-drejtori-fehmi-meziu/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: