Nga: BLERIM KORE*
Programi i organizimeve për “ Vitin Kadare”, një bashkëpunim i Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë Gjirokastër, po gjallëron qytetin e gurtë. Tashmë “Shtëpia Kadare “ po mikpret vizitorë të shumtë, ndërkohë që jeta dhe krijimtaria letrare e Kadaresë vazhdon të jetë në qendër të aktiviteteve të ndryshme. Në këto ditë Kadareja po kthehet në motiv të preferuar edhe për krijuesit e arteve figurative në Gjirokastër.

Skulptori Bledar Kaçi është duke realizuar një moment të Kadaresë në bronz. Ndërsa përcjell emocionet që e nxitën për të realizuar këtë vepër, ai pohon se, prej vitesh kishte patur dëshirën për ta bërë shkrimtarin pjesë të punimeve në skulpturë. “ Konkretizimi për veprën kushtuar Kadaresë ndoshta ka qenë i shtyrë edhe nga 80-vjetori i tij dhe tek ajo pjesë u materializua artistikisht realizimi im për një kolos letrar sikurse është Kadareja. Ngacmimi artistik për të ka ardhur edhe nga vepra letrare e Kadaresë, çfarë ka shkruar ai për Gjirokastrën, por jo vetëm për këtë qytet pasi për mua Kadareja është më global sesa Gjirokastra, ndoshta më i madh sesa Shqipëria, është mbarëbotëror”, shprehet skulptori. Në krijimin e skulptorit Bledar Kaçi, Kadareja paraqitet në një moment meditimi ndërkohë që boceti është i arrirë artistikisht.

“ Mund të them se të realizosh një vepër në skulpturë për të nuk realizon thjesht Kadarenë, por ndjejmë veten tonë tek ajo. Jemi detaje të asaj madhështie që mbart Kadareja në vetvete. Kadareja në kompleksitetin e tij ka divergjencat e tij dhe në realizimin artistik të kësaj vepre shumë njerëz do ta donin modest, shumë njerëz do ta donin madhështor. Për ti realizuar të gjitha ato në një vepër në skulpturë është jashtëzakonisht e vështirë dhe jam munduar që brenda tij të ketë edhe atë modestinë në pjesët e fytyrës, po e them në plastikë, në atë lloj qetësie por në lëvizje në qoftëse shikohet me vëmendje ka pamjen e madhështisë. Disa detaje si hedhja e flokëve që ia mar era i japin impuls mendimit të tij në vepër dhe jam munduar që ti shpreh tek busti i Kadaresë”, shprehet skulptori Bledar Kaçi. Ky punim ka tërhequr edhe vëmendjen e artistëve, skulptorëve dhe piktorëve në Gjirokastër. Ata kanë vlerësuar gjetjen artistike të kolegut të tyre si dhe mënyrën e realizimit të figurës së Kadaresë. Pasi ka parë nga afër punimin për Kadarenë, piktori Stavri Cati shprehet se “mendoj se është një nismë e mirë për qytetin e Gjirokastrës. Ndërsa shikoja veprën më lindën emocione të cilat kisha kohë pa i ndjerë në lidhje me artistët gjirokastritë gjatë punës, në momentin e punës. Në veçanti e kam parë disa herë portretin është i arrirë artistikisht. I uroj autorit suksese”.

Ndërkohë pedagogu i arteve figurative, Llambi Margariti shprehet se “ më vjen mirë që në këtë vit që është quajtur Viti I Kadaresë, ne si bashkëqytetarë të Kadarëse, si artistë ndjejmë një ngacmim. Më vjen mirë që Bledi është marrë me figurën e Kadaresë, është munduar të përcjellë atë pjesën emocionale dhe për ndjesinë që ai ka për këtë autor, për këtë njeri i cili është një ambasador jo vetëm i Gjirokastrës por i gjithë Shqipërisë. Në këtë aspekt, në këtë sens Bledi është përpjekur që ta trajtojë këtë portret që mua më duket interesant. Më vjen mirë që ne si kolegë të tij, si artistë, debatojmë, hedhim mendime, trajtojmë gjëra të ndryshme në lidhje me këtë punë. E rëndësishme është që Kadarenë nëpërmjet kësaj vepre ta kemi mes nesh dhe ta shijojmë të gjithë si artistë, si bashkëqytetarë të tij këtë vepër arti”.

Gjatë diskutimeve në lidhje me veprën kushtuar Kadaresë, skulptori Dritan Topulli shprehet se “mendoj se Bledi duhet përgëzuar për këtë nismë, qoftë nga ana kompozicionale por edhe si mënyrë e dhënies së karakterit të Kadaresë, i cili përfaqëson një figurë shqiptare por edhe më tej. Bledi është munduar për ti dhenë më tepër karakterin e Kadaresë dhe besoj se i ka dhënë një lloj madhështie që në vetvete Kadareja e meriton si figurë. Vendosja e tij në njerin prej shesheve publike të qytetit është diçka që do ti japë vlera jo vetëm qytetit por edhe vetë bashkëqytetarët tanë e dëshirojnë një figurë të tillë për tu ekspozuar”. Pas përfundimit të bocetit skulptori Bledar Kaçi ka nisur bashkëpunimin me Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Gjirokastrës për realizmin e plotë të monumentit të Kadaresë dhe vendosjen e tij në njerin prej shesheve kryesorë të qytetit. “Kjo nuk do të jetë thjesht një skulpturë në nderim të Kadaresë por edhe një vepër artistike me shumë për qytetin”, pohon skulptori gjirokastrit.
(er.nu/Milosao/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: