“De fakto jemi ish deputetë”. Kështu e nis intervistën e tij në rubrikën “Opinion” në News 24 demokrati Agron Shehaj. Ai komentoi protestën e mbrëmshme dhe sqaroi se qëllimi i tyre final është largimi i kryeministrit Rama. Për të arritur deri tek kjo ditë, Shehaj tregoi edhe rrugën që do të ndjekin demokratët.

Çfarë morët nga protesta e djeshme?
Agron Shehaj: Ishte një protestë shumë e madhe, nuk pati incidente, buruan vetëm pasi policia hodhi gaz lotsjellës, veçse një gome që i vunë flakën.

Po u hodh gaz, pati shashka…
Agron Shehaj: Po pra, po donin të shpërndanin protestuesit që të mos kishin probleme deputetët që do të dilnin nga Kuvendi.

Kështu do vazhdoni, sa herë të ketë Kuvend?

Agron Shehaj: Ne nuk dolëm nga parlamenti për sehir, do vazhdojmë deri në rrëzimin e Edi Ramës. Bëhet fjalë për një kryeministër që ka kapur të gjitha pushtetet. Ligjet e kaluara ishin të gjitha për interes të oligarkëve.

Ju jeni të bindur që do ketë zgjedhje të parakohshme?
Agron Shehaj: Unë mendoj që shumë shpejt do ketë zgjedhje të parakohshme, por ato duhet të jenë të lira nga ndikimi i narkotrafikantëve.

Si do ta merrni ju sigurinë se zgjedhjet mund të jenë të lira e të ndershme?
Agron Shehaj: Ne nuk kërkojmë vetëm zgjedhje të parakohshme, ne duhet të jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm që të mos krijohet ajo që ndodhi në 2017. Nëse nuk arrestohet personat që blenë vota për të konfirmuar Ramën në pushtet, nëse Rama ofron të njëjtat kushte si në 2017 ne nuk ka mundësi të futemi në zgjedhje. Ne e dimë se ka me mijëra përgjime të pazbardhura. Nëse ata njerëz nuk përfundojnë para drejtësisë, nuk ka zgjedhje. Ne duam ta sjellim Shqipërinë në kushtet e normalitetit.

Ju keni qenë pro djegies së mandateve?
Agron Shehaj: Është akt ekstrem, para se të bëhet duhet menduar mirë që nuk ka asnjë mundësi tjetër dhe ne nuk kishim asnjë mundësi tjetër. Edi Rama siç thashë i ka kapur të gjithë pushtetet. Le të vijnë këta ndërkombëtarët dhe të vihen në vendin tonë si mund të fitosh kur ata të kthehen e të thonë ta tregojmë ne ty tek zgjedhjet e radhës… që do blejmë më shumë.

Disa deputetë të PD janë pro dhunës vetëm që Rama të ikë…
Agron Shehaj: Unë i kuptoj një pjesë prej njerëzve që janë në kushte të vështira, por unë jam kundër dhunës.

Deklaratat e ndërkombëtarëve si i keni lexuar?
Agron Shehaj: Ndërkombëtarët kanë interes stabilitetin. Nga njëja anë nuk duan që shqiptarët të ikin për azil në Francë apo Gjermani dhe thonë ju rrini dhe pranoni Ramën t’ju qeverisë e vjedhë edhe me bashkëpunimin e narkotrafikantëve. Nëse thua këtu mos hajde por rri e e ul kokën kjo nuk është koherente.

A është PD në pozita të shëndosha që shqiptarët t’ju japin vota?
Agron Shehaj: PD mund të krijojë kushte që shqiptarët të jetojnë shumë më mirë se nën qeverisjen e Ramës. Kur votohet njerëzit votojnë të keqen më të vogël. Nëse bëhemi mazhorancë dhe bëjmë të njëjtën gjë si këta edhe ata kanë të drejtë të bëjnë të njëjtën gjë si neve sot.

Sa do ndikojë vendimi juaj tek negociatat?
Agron Shehaj: Kjo është pjesë e propagandës dhe retorikave të qeverisë. Dje na akuzonte se ishim bashkëpunëtorë të rusëve, ndërsa më parë se i bënim pazaret bashkë me Ramën. Mendimi im është se në kushtet që jemi Shqipëria nuk ka shanse të marrë hapjen e negociatave jo për shkak të protestës, por për shkak se nuk plotëson kushtet.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb