Qeveria e Sllovakisë ka miratuar të mërkurën planet për të blerë gjashtë sisteme të lëvizshme të mbrojtjes ajrore nga Izraeli, në vlerë prej 554.3 milionë eurosh.

Në faqen e saj të internetit, qeveria ka bërë të ditur se si shtet anëtar i NATO-s, Sllovakia po forcon mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore, raporton Reuters.

Qeveria miratoi gjithashtu blerjen e më shumë se 1,300 automjeteve të terrenit, në një blerje të përbashkët me Republikën Çeke, me një kosto prej 708.3 milionë euro, të cilat do të zëvendësojnë kamionët e vjetruar.

Sllovakia, fqinji i së cilës Ukraina po lufton pushtimin rus që nga shkurti i vitit 2022, ka kërkuar të rrisë aftësitë e mbrojtjes ajrore.

Ajo ka qenë pjesë e përpjekjeve të NATO-s për të forcuar krahun lindor të aleancës ushtarake. Ministri i Mbrojtjes, Robert Kalinak ka thënë se përparësitë duhet të jenë në aftësitë e mbrojtjes, veçanërisht në mbrojtjen ajrore.

Muajin e kaluar, asaj iu dorëzuan dy avionët e parë F-16, nga 14 avionët e rinj luftarakë sa po planifikohet t’i marrë.

Sllovakia operon sistemin me rreze të mesme 2K12 KUB, i cili ishte në fund të ciklit të tij jetësor, ka bërë të ditur ministria e Mbrojtjes në një dokument të publikuar të mërkurën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb