TIRANE– Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë ka reaguar ndaj ngjarjeve të shënuara së fundmi në Maqedoni. Përmes një reagimi për mediat, MEPJ shpreh indinjatën e thellë dhe dënon gjuhën e urrejtjes e sloganet ksenofobe kundër shqiptarëve në muret rrethuese të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

“Kjo është hera e disatë që institucionet kulturore që ruajnë dhe pasqyrojnë  historinë, traditat, gjuhën dhe kulturën shqiptare dhunohen qëllimisht e në mënyrë të papranueshme nga akte, të cilat kërkojnë të mbjellin urrejtje, përçarje e të nxisin tensione mes komuniteteve. Këto akte, pikërisht në momentet kur afrimi dhe kohezioni ndëretnik njeh hapa progresi drejt forcimit të mëtejshëm janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj paqes, stabilitetit e harmonisë ndëretnike në vendin fqinj.

Besojmë se këto sulme janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme, si dhe veprimet obstruksioniste e retorika e dëmshme e ditëve të fundit nga segmente të politikës së vjetër pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe në Maqedoni”, thuhet në reagim.

Ndërkaq, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë u kërkon autoriteteve të Maqedonisë zbardhjen sa më shpejt të këtij akti vandal, hetimin dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të këtyre sulmeve, të cilat bien ndesh e cënojnë frymën e bashkëjetesës dhe harmonisë në Maqedoni e në gjithë rajonin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb