TIRANE- 1000 të rinj dhe të reja janë punësuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për t’ju ofruar asistencë turistëve vendas dhe huaj. Përmes projektit “Smile Albania” të rinjtë përfshihen në promovimin e turizmit duke i mirëpritur turistët në pikat turistike të vendit, dhe duke ndarë me ta informacionet e nevojshme rreth kulturës dhe bukurive natyrore shqiptare.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave të të rinjve fitues në këtë projekt, ministri Blendi Klosi u shpreh se përveç promovimit të turizmit, “Smile Albania” do të ndihmojë edhe në ndërgjegjësimin mjedisor.

“Ju të gjithë keni në dorë sot që të jeni Kryeministri i vendit tonë në çdo pikë hyrëse të vendit, të jeni ju ministër i turizmit, Ministër të çdo ministrie për të pasur mundësinë që t’i ofroni asistencën e nevojshme atyre të cilët po e shndërrojnë turizmin shqiptar nga një destinacion i sekretit të fundit në një destinacion europian të turizmit. Pra, keni jo vetëm detyrën e mikëpritjes nga pikëpamja turistike po ne kemi detyrën që të realizojmë misionin tonë të madh atë të revolucionit mjedisor”, tha ministri Klosi.

Ministri Blendi Klosi shtoi se “Smile Albania” synon ta kthejë Shqipërinë në një destinacion turistik Evropian. Kjo periudhë e punësimit do t’ju njihet të rinjve si praktikë pune, pranë administratës shtetërore të zonave të mbrojtura.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb