SHKODËR

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka prezantuar sot prefektin e ri të Shkodrës, Valdrin Pjetri në një takim ku ka qenë i pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi, drejtori i ri i policisë së qarkut etj.


Por gjatë takimit ka pasur edhe debate. Kryetarja e Bashkisë, Ademi është ankuar për situatën problematike dhe ka kërkuar marrjen e përgjegjësive nga shteti e policia e seriozitet për trajtimin e saj. Ajo tha detyra jonë është që të mos i lëmë të hanë kokat e tyre, duke përdorur një shprehje të kryeministrit Edi Rama, përkundrazi sipas saj, duhet të bëjmë të mundur që t’i ndalojmë dhe të parandalojmë me sa fuqi që kemi.


Ademi theksoi se rikthimi i sigurisë në Shkodër, nuk është çështja e vullnetit të një personi dhe se do duhet të ketë forca të specializuara. Në këto histori, deklaroi ajo ka pasur edhe njerëz të pafajshëm që kanë ngrënë plumbin.


Ndërsa ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj është larguar duke e lënë kryebashkiaken Ademi duke folur, kreu i policisë e ka dëgjuar edhe për pak por sërish ka ikur pa e mbaruar ajo fjalën.
Ky është debati i sjellë nga gazetar Senad Nikshiqi.

Ademi: Situata në të cilën prefekti i ri emërohet nuk është aspak e mirë. Ne kemi ndoshta që nga viti 2018 që kalojmë situatë të vështirë. Fakti është që nuk është vetëm Shkodra, është fatkeqësi për qytetin tonë, jemi në prag të sezonit të turistik, ne duhet ta mbrojmë e ta promovojmë por jo vetëm Shkodra, edhe Elbasani e Durrësi, promovohet si qyteti ku ndodhin vrasje e grabitje. Po flas si qytetare, si grua, si nënë e si kryetare e Bashkisë së Shkodrës. Qytetarët e Shkodrës janë njerëz shumë të mirë e duan të jetojnë në vendin e vet.

Të gjithë kemi marrë disa përgjegjësi dhe duhet t’i çojmë deri në fund. Kjo punë duhet marrë me seriozitetin që i takon. Fakti që kemi disa vrasje, dy të zhdukur e me radhë, asnjë e zbuluar deri tani, nuk janë bërë veprime për t’i parandaluar dhe ky është shqetësimi jonë ndoshta më i madh. Ju duhet të bëni diçka që t’i parandalojmë. Detyra jonë është që të mos i lëmë të hanë kokat e tyre, përkundrazi duhet të bëjmë të mundur që t’i ndalojmë dhe të parandalojmë me sa fuqi që kemi. Policia duhet ta gjejë mënyrën, forcat e specializuara duhet ta gjejnë mënyrë dhe ta bëjmë të mundur. Me ndryshimin e drejtuesve, unë kam pasur respekt për drejtuesit e policisë, në nivelin vendor, ata janë përballur me problematika të mëdha. Por edhe policia nuk mund ta bëjë e vetme, duhet të punojë struktura e gjithë, duhet të ketë mekanizma të specializuara. Larja e hesapeve nuk mund të jetë në rënie të lirë në Shkodër, ne duhet të bëjmë diçka.

Nuk e kam parë seriozitetin dhe marrjen e përgjegjësive. Ne duhet të bëjmë diçka që të ketë një stop. Ne kemi një ritëm të lartë emigracioni, të paimagjinueshëm, rritje të mbylljes së bizneseve, rënie të turistëve.

Këto na shqetësojnë shumë, janë përtej të qenit PD, PS e parti të tjera. Ne kemi një situatë problematike në Shkodër, e duhet të bëjmë diçka. Unë nuk e di se çfarë, nuk jam specialiste por kam detyrë ta them me zërin e lartë se frika është e madhe. Bandat kriminale, janë larje hesapesh e me radhë. Shteti ka në dorë dhe duhet të marrë përgjegjësinë ta ndalojë. Kjo do të thotë që krimi merr zemër. Po shkojmë drejt një pasigurie absolute, gjë që është frikshme për të gjithë qytetarët. Po flas me zemër, ofroj gjithë bashkëpunimin. Ne kemi trupa policore të specializuara, janë përpjekur të punojnë por duhen gjetur mënyra efikase. Ju uroj suksese prefektit dhe drejtorit të ri të policisë do ta kenë bashkëpunimin!

Forcat e policisë, drejtuesit e policisë përveç Albana Çelës kanë pasur vullnetin e mirë të bashkëpunojnë. Kjo as që diskutohet në Shkodër. Nuk është çështja e vullnetit të një personi, nuk është aspak politike, nuk e bën as tre vetë edhe një polici vetëm në Shkodër, do duhet të ketë forca të specializuara. ne duhet të parandalonim ngjarjen. Në këto histori ka pasur edhe njerëz të pafajshëm që kanë ngrënë plumbin. Forcat e policisë duhet të jenë të përgjegjshme.

Veliu: Unë nuk jam politikan. Unë jam drejtori i përgjithshëm i Policisë. Para një jave nuk më the këtë opinion. Në qoftë se situata ndryshon për një javë…

Gazetari: Kryetare keni qenë nën presion ose kërcënime?

Ademi: Është i gjithë pushteti nën presion. Unë deklaratat e mia i bëj publike gjithmonë.

(m.k/BalkanWeb)