Isuf Hasa, autor i vrasjes së 81-vjeçarit Xhemal Meta, ka pranuar krimin para hetuesve ndërsa ka dhënë edhe detaje në lidhje me ngjarjen.
Ai u shpreh se pasi 81-vjeçarin e vrau me një çekiç që gjeti në oborrin e banesës të të moshuarit, me të cilin sapo kishte konsumuar edhe një kafe.
Autori ka shtuar se armën e ka fshehur në Vorë në shtëpinë e së bijës.
“Më 13 janar shkova në mëngjes në shtëpinë e Xhemalit dhe konsumuam kafe. Pasi mbaruam, do të shkonim në lokalin e fshatit. Në oborrin e shtëpisë së tij pashë çekiçin dhe e mora e qëllova nga pas. E qëllova pasi kishte shumë kohë që më ofendonte. Kisha kuptuar që më ngacmonte gruan. Unë punoj roje nate në Dajt dhe kishte raste nuk shkoja disa netë në shtëpi. Xhemali më merrte në telefon dhe më thoshte që si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas tënde. Kisha kohë që nuk po e duroja dot. Pasi e vrava i mora lekët. E dija që kishte lekë sepse m’i kishte treguar po ai vetë. Më pas kam shkuar tek stacioni elektrik dhe deri në Tiranë kam zbritur me një makinë të tyre. Më pas shkova tek shtëpia e vajzës në Vorë ku fsheha çekiçin”, ka dëshmuar ai.
(BalkanWeb)