Diskutimi për kreun e opozitës së bashkuar, Lulzim Basha, është kthyer në “mollë sherri” në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në ekranin e News 24, mes analistëve të njohur dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.


Ky i fundit ka deklaruar se Basha flet vetëm për veten e tij, ndryshe nga kryeministrit Edi Rama, i cili sipas tij, sa herë flet, bën diçka.

Por, një gjë e tillë është kundërshtuar nga analistët në studio, të cilët kanë thënë se Basha flet për njerëzit kur denoncon koncesionet skandaloze të rrugëve, si dhe mori vendimin e duhur për të djegur mandatet dhe mos u futur në zgjedhje.


Debati në studio:
Murati: Kuotat politike të opozitës janë më lartë tani. Dyshoj që opozita ka sakrifikuar mandatet për të pasur një garë finale të ndershme. Zgjedhjet e ardhshme mendoj se do jenë më 2021.
Gjekmarkaj: Ka bërë gjënë e duhur me djegien e mandateve dhe duke mos hyrë në zgjedhje. Tallej Rama me të vetët aty në Parlament. 30 qershori provoi që Rama ka ngelur një dordolec, një kufomë politike. KQZ ka punuar shumë për t’i rritur shifrat, ka mbushur thasët. 30 qershori ishte prova, jam dakord me Bashën, kur thotë se socialistët sa nuk u rrahën me njëri-tjetrin. Ajo ditë ka qenë ditë e turpit kombëtar. Opozita është faktor, pavarësisht se nuk ka rol. Flitet për krizë në gjithë shoqërinë shqiptare.


Veliaj: Opozita ka prodhuar krizën me protesta. Ti mund ta urresh Ramën, po sa herë ai flet, është duke e bërë diçka, ndërsa kjo nuk ndodh me Bashën. Lulzim Basha nuk e bën dot vezën e Edi Ramës.
Gjekmarkaj: Basha me denoncime ka qenë brilant, mbase s’ka qenë i tillë në ide.
Skënderaj: Jeni për t’u marrë shembull se si marketoni çdo lloj guri.
Veliaj: Më thuaj një shkollë nga Basha, unë kam nisur 17 të reja. Kur s’ke punë për të treguar, se po të kishte Basha një punë të suksesshme në bashki do ia kishim dëgjuar zërin. Ai nuk bëri asnjë shkollë të re. Kopshtet e çerdhet i kanë gjetur me kapacitet 3%. Basha ka tërë jetën që flet për veten e vet. Ai mori në qafë edhe gjithë deputetët e tjerë. Basha nuk e dinte ku binte teatri, nuk ishte ulur ndonjëherë.

Gjekmarkaj: Basha flet për njerëzit, kur denoncon koncesionet skandaloze të rrugëve.
Skënderaj: The një mori gjërash për Bashën. Kam punuar dy vite me të, kam parë çfarë punësh nën rrogoz janë bërë në të gjitha lagjet e Tiranës dhe sa projekte janë lënë në tavolinë, kur kemi ikur. Për dy vitet e tjera u bllokua buxheti. Ti japim Cezarit çfarë i takon. I hyri Tiranës me themel.

(d.ç./BalkanWeb)