Nga Hilë Lushaku*

TIRANE– Sokol Baraj, u lind në Tiranë, më 05.08.1963. I ati i Sokolit, Mitati, ka qenë oficer në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ka shërbyer në shumë rrethe të vendit. Sokoli është nip në Gjakovë, në fisin “Hoxha”.

Arsimin fillor e ka kryer në vitin 1970-1974, në Lezhë, kohë kur i ati, Mitati, qe kryetar i Degës së Punëve të Brendshme në këtë rreth, ndërsa arsimin 8-vjeçar e kreu në Tiranë, në vitin 1978.

Në periudhën 1978-1982, kreu arsimin e mesëm në Politeknikumin “7 Nëntori”, dega elektrike, të cilin e përfundoi me rezultate shumë të mira.

I dashuruar me profesionin e të atit dhe duke qenë futbollist në klubin e Ministrisë së Brendshme, “Dinamon”, në shtator 1984 filloi arsimin e lartë në shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilën e përfundoi në vitin 1988, duke u diplomuar në specialitetin “Sigurim”.

Në shkollë pati vlerësime të mira. I edukuar në familje me frymën e rregullit ushtarak nga babai dhe duke qenë në gjenezë racë e qetë, i pajisur me kulturë e formim si intelektual, Sokoli gëzoi kurdoherë respektin e shokëve dhe të eprorëve të tij.

Sapo kreu studimet dhe u diplomua, u caktua fillimisht në Degën e Punëve të Brendshme në Durrës, ku gjeti kuadro policie me aftësi të larta profesionale dhe me përvojë të mirë në punë. Këtu kreu detyrën e parë “inspektor” dhe mori vlerësime shumë të mira.

Ndërkohë, Sokoli, filloi menjëherë studimet pa shkëputje nga puna në Universitetin e Tiranës, Fakultetin Juridik, të cilin e mbaroi në vitin 1993. Në gusht 1990, u transferua në qytetin e Kavajës, ku kishin filluar trazirat dhe lëvizjet e para për ndryshimet politike në vend. Është i njohur fakti se në atë kohë Kavaja u kthye në epiqendër të revoltave dhe pati shumë konfrontime me Policinë, madje edhe me forcat e repartit special nr. 326, të Policisë.

Këtu, Sokoli, pati mundësinë të aftësohej më tej në profesionin e tij të vështirë. Në tetor 1991, u transferua në Drejtorinë e SHIK-ut, në Tiranë, ku shërbeu deri në vitin 1993. Si shumë të tjerë, edhe ai, ndonëse vetëm me 5 vjet karrierë, pa asnjë implikim politik apo përfshirje në ngjarje madhore, i pa regjistruar gjëkundi si person që u angazhua në grupe që frenuan apo kundërshtuan proceset demokratike në vend, nuk i shpëtoi dot “litarit” të nenit 24/1, të ligjit të famshëm që “reformoi” strukturat e kuadrot e administratës shtetërore “demokratike”.

I nxjerrë në “4 rrugët” e udhëkryqit ku përfunduan shumë intelektualë të rinj e të aftë, për të cilët kishte nevojë përparimi i vendit drejt Evropës, Sokoli, nuk u dorëzua por punoi e mbijetoi, së bashku me familjen. Gjatë kësaj kohe u angazhua me aktivitet privat dhe iu bashkua grupimit politik të majtë, pa fshehur bindjen e tij të origjinës.

Nuk iu shmang thirrjes politike e publike në media për përfshirjen e intelektualëve në shpëtimin e vendit nga katrahura idiotësisë ku e kishte futur politika babëzisë ekonomike dhe e miopisë qeverisëse, mbytur prej bajraktarizmës karrieriste të politikanëve kalorësiakë, të papërvojë por edhe vasalë të politikave jo shqiptare. Qorrsokaku që e kishte përfshirë vendin, që nga 26 maji 1996, dhe gremisja drejt vdekjes, në pranverën e viti 1997, nxitën edhe Sokolin, si shumë shqiptarë të ndershëm, për të marrë barrë të rënda mbi vete, në shpëtimin e atdheut dhe minimizimin e shkatërrimit tërësor.

Në fillimin e korrikut 1997 u emërua “drejtor i Përgjithshëm i Policisë dhe njëkohësisht edhe Zëvendësministër i Punëve të Brendshme”, në vendin e lënë bosh nga Agim Shehu, i cili qe larguar fshehurazi jashtë vendit, i trembur nga fitorja e zgjedhjeve elektorale nga grupimi politik i koalicionit “Aleanca për Shtetin”.

Sokol Baraj mori detyrën në një situatë të vështirë për Policinë, e cila në pjesën më të madhe nuk ishte në shërbim, por po rimëkëmbej. Në atë kohë qe larguar edhe ministri i Rendit dhe në krye të saj sapo kishte ardhur Ali Kazazi, i cili së bashku me Lush Përpalin e Partisë Socialiste drejtonin dikasterin blu. Më një përvojë të pakët, për më tepër në drejtimin e strukturave të rendit, në krye të një stafi të panjohur, ndër të cilët një pjesë ishin të politizuar, Sokol Baraj, iu përvesh punës për të përmbushur angazhimin që kishte pranuar.

Përveç Tiranës, rrethet e tjerë nuk kishin polici efikase në detyrë. Pothuajse të gjitha detyrat i kryenin forcat speciale, sidomos kontrollin e akseve rrugore të zaptuara nga bandat, shoqërimin e eskortave të parave në bankat e rretheve, ndërhyrjen për zgjidhjen e situatave të ndryshme, ruajtjen e objekteve të rëndësishme, mbështetjen e veprimeve të strukturave vendore aty ku ndihej sado pak forca e shtetit, etj.

Angazhimi i koalicionit “Aleanca për Shtetin” se, sapo të vijmë në pushtet, do të rivendosim menjëherë rendin, vuri në provë aftësitë e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Sokol Baraj. Guri i parë i provës qe Berati, një nga rrethet më problematike, ku krimi kishte terrorizuar banorët, aq sa edhe dritat elektrike nuk mund të ndizeshin natën dhe grupet kriminale përballeshin me përleshje me armë, si klanet mafioze në vendet ku ndahen zonat e influencës së trafiqeve. Në mesin e korrikut 1997, ai, u priu shumë forcave të grupuara nga strukturat e reparteve “Renea”, “Brisku” dhe reparti FNSH nr. 711 të Tiranës.

Ndonëse pati edhe mbështetjen e subjekteve politike, hyrja në Berat qe një sipërmarrje e vështirë, e cila u mundësua më tepër nga negociatat që Sokoli mundi të kryejë me përfaqësuesit e grupeve që mbanin peng qytetin. Për rreth 3-4 ditë qëndrimi në qytet, ku duket se u kthye pak shpresa për qetësi, pas një vendimi politik, shërbimet kryesore të policisë u tërhoqën, duke lënë në shërbim vetëm forca të Ndërhyrjes së Shpejtë. Situata e rendit në vend kërkonte angazhim të madh, por edhe sakrifica. Në periudhën korrik-gusht u ndërmorën shumë shërbime në marrjen në kontroll të akseve rrugore në drejtimet ku ishin kalimet kufitare. Shpejt u vunë në kontroll akset Fier-Gjirokastër dhe Elbasan-Kapshticë, duke aktivizuar në shërbime strukturat e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Sokol Baraj ka qenë pothuajse në të gjitha rastet pranë strukturave operacionale të Policisë, pasi në disa raste kërkohej edhe prania e tij për të prezantuar drejtuesit e rinj të Policisë, që zëvendësonin ata që ishin larguar apo prezantonin paaftësi në drejtim. Krahas kësaj, nuk u neglizhua drejtimi Milot- Peshkopi, ku bandat ishin tepër të rrezikshme dhe Baraj vlerësoi se në këtë drejtim mund të vepronin vetëm specialët e “Reneas” dhe në fakt kështu u veprua në zonën e Burrelit e të Bulqizës, ku “maskat” ishin bërë një tmerr i vërtetë për udhëtarët që grabiteshin ditën për diell dhe shteti nuk ishte në gjendje të mbronte shtetasit e tij.

Brenda gushtit u vu nën kontroll edhe aksi Rubik-Kukës dhe ai Shkodër-Pukë-Qafë Mali, ku kalonin me shumicë kosovarët. Në të gjithë këto raste, Sokol Baraj, punoi në grup, me një staf kuadrosh të aftë, prej 5 vetësh (drejtori i Krimeve, i ndjeri Fatmir Hakani; drejtori i Rendit, Ylli Vasili, drejtori i Forcave Speciale dhe Ndërhyrjes së Shpejtë, Hilë Lushaku dhe drejtori i Logjistikës Shyqyri Dade, të mbështetur nga drejtori i Personelit Nikoll Rica). Me gjithë këto suksese ende nuk ishte në zotërim të shërbimeve të Policisë, Vlora, epiqendra e fillimit të revoltave të dhunshme të shkurtit 1997, ku përplaseshin grupe kriminale rivale, me organizim të mirëfilltë.

Ka qenë datë 10 gusht, kur Sokol Baraj u vu në krye të 11 grupeve të forcave speciale, dhe mundi të hyjë në Vlorë në saje të një plani të detajuar hollësisht nga kreu i specialëve, i cili solli, fillimisht shpartallimin e bandës së Zani Çaushit e pak ditë më pas edhe të “Gaxhait”, të “Xhelitajve” e të “Mukajve”, shërbim ky që çuditërisht u kontestua nga shumica në Kuvendin e Shqipërisë, por përgjegjësia u mor nga drejtuesit Neritan Ceka e Ndre Legisi. Marrja në kontroll e Vlorës qe një ogur i mirë për punën e Policisë, duke inkurajuar të gjithë strukturat vendore për gjallërim të punës së tyre dhe një shpresë për Vlorën, ku solli rifillimin e punës në port, në doganë dhe pakësimin e rrezikut të banditëve në zonën Bestrovë, Panaja, pylli i Sodës, etj. Në saje të këtyre arritjeve, ku peshën po e mbanin specialët, Sokol Baraj u bë mbështetje e fuqishme e drejtorit të kësaj strukture për krijimin e reparteve të reja të ndërhyrjes së shpejtë në disa rrethe të vendit, ku do të niseshin shërbimet për mbajtjen në kontroll të të gjithë akseve rrugore në vend dhe “vrasjen” e frikës e ngjalljen e shpresës e të besimit se shteti po forcohej.

Ai ka qenë aktiv në këtë nismë, duke pasur edhe përkrahjen e ndihmën morale të misionit policor të Bashkimit Evropian, të cilët po asistonin Policinë shqiptare në këtë periudhë të vështirë. Kur po dukej se gjërat po shkonin për mirë në rivendosjen e rendit, në Shkodër filluan “lëvizjet” kundër shtetit, madje nga brenda radhëve të Policisë, gjoja në emër të pastërtisë së figurës së drejtuesve, duke kontestuar drejtuesit e sapoemëruar. Fillimisht, në fundin e nëntorit 1997 dhe më pas në janar 1998, situata e brendshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut në Shkodër ka qenë shqetësuese dhe Sokol Baraj ka qenë prezent, në krye të grupeve të caktuar për zgjidhjen e tyre. Ai qe prezent edhe më 18-21 janar, kur nga një grupim prej 450-500 vetash të armatosur, me prapavijë politike, qe marrë peng prefekti, Gëzim Podgorica, dhe deputetët e opozitës, me një sjellje absurde, bënin presion që të largohej menjëherë policia (Forcat Speciale).

Në këtë rast qetësia e Sokol Barajt ka qenë “olimpike” dhe komunikimi i tij me krerët e grupit të deputetëve të Shkodrës, kryesuar nga Jozefina Topalli, ka qenë shembullor. Edhe më 22 shkurt 1998, kur u dogj Shkodra nga grupet e armatosura të drejtuara nga grupe policësh e kriminelësh të ndërsyer nga politika e mbrapshtë antikombëtare, dhe u vu postblloku në urën e Bahçallëkut, si përpjekja e fundit e dëshpëruar për të destabilizuar vendin nëpërmjet nxjerrjes së Veriut të Shqipërisë nga kontrolli i shtetit, Sokol Baraj, nuk iu shmang angazhimit për të ndjekur nga afër veprimet e Forcave Speciale dhe atyre të Ndërhyrjes së Shpejtë që u urdhëruan të marrin kontrollin e qytetit, duke kryer një operacion policor.

Kam qenë pjesë në këtë takim që mund ta quajë provokativ e sjellje të turpshme, ndaj njerëzve të zbatimit të ligjit që po prezantonin në Shkodrën problematike profesionalizëm të lartë policor dhe durim të paimagjinueshëm, madje kur kriminelët me maska, që kishin pushtuar prefekturën, sapo patën plagosur dy specialë para organit të policisë vendore spektakolar, pa asnjë viktimë, por me shumë persona të armatosur që u shoqëruan në Polici. Ai kryesoi këto ditë edhe veprimet e Policisë në Tiranë, për përballimin e revoltës në burgun nr. 313, e cila u zgjidh pa asnjë pasojë. Sokol Baraj ka kontributin e tij të padiskutueshëm në organizimin e drejtorive të Policisë në bazë qarku (prefekturë) dhe vënien në efiçencë të strukturave qendrore e vendore të Policisë, duke u angazhuar fuqimisht në realizimin e premtimit të qeverisë “Nano”, për rivendosjen e rendit në vend. Ai pati kontakte të rregullta e marrëdhënie të mira bashkëpunimi me misionin Policor “MAPE” dhe atë italian të “Interforces”.

Pa as më të voglin dyshim duhet të pranohet se, Sokol Baraj, pati sukses në drejtim falë aftësive të tij për të ndërtuar si duhet punën në grup, për të ndërtuar ura komunikimi të frytshme, për të vlerësuar punën e bashkëpunëtorëve më të ngushtë dhe për të inkurajuar vartësit në qendër e në bazë. Sokol Baraj realizoi një bashkëpunim të ngushtë me strukturat e tjera shtetërore, sidomos me Prokurorinë e Përgjithshme, gjë që solli edhe suksese në punën e Policisë dhe të forcimit të strukturave shtetërore e rritjen e prestigjit të shtetit. Janë të njohura shërbimet e Policisë në kapjen e bandave të rrezikshme, në shumë rrethe si në Elbasan, Berat, Korçë, Burrel, Shkodër, Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër (Lazarat), Laç, Lushnjë, Durrës, Peshkopi, Tiranë, etj.

Në vlerësimin tim, si krahu i djathtë i Sokolit në këtë përballje të shtetit me krimin e kriminelët, nuk ka pasur ngjyrime politike apo prirje për të lënë pas dore ndonjë të përfolur si mbështetës i spektrit (krahut) të majtë politik, që kishte marrë zotërimin e drejtimin e shtetit. Raste konkrete janë operacionet në Vlorë, ku u shpartallua banda e Zani Çaushit, apo Elbasani ku përflitej “grupi i Kateshit”, si përkrahës i ministrit të Rendit Publik në detyrë, Neritan Ceka, apo grupi “Çobaj” në Berat, i përfolur nga opozita si grup në përkrahje të kryeministrit Fatos Nano. Po kështu, u rrit efikasiteti i punës së Policisë dhe bashkëpunimi i saj me Drejtoritë e Përgjithshme të Ministrisë së Financave për goditjen e korrupsionit e të kontrabandës, sidomos asaj të cigareve, në drejtimet e Velipojës, Sarandës, Gjirokastrës, Devollit, Pogradecit, Bllatës, Durrësit.

Janë të panumërta rastet e bllokimit të anijeve me cigare kontrabandë, si në Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin e derdhja e Bunës, si dhe bllokimi i maunave në shumë akse rrugore apo vende ku magazinoheshin mallrat kontrabandë. Për të gjitha këto raste punonjësit e Policisë morën shpërblime, sipas përqindjes së vleftës së mallit kontrabandë të kapur, përjashtuar Sokolin, mbasi nuk kishte kush e propozonte, ndonëse shumë herë ai ka qenë në drejtim të operacioneve të përbashkëta. Të paharruara do të mbeten operacionet policore në të gjithë territorin e vendit, për grumbullimin e armatimeve e municioneve të grabitura, në marsin e viti 1997, të vlerësuar si burim rreziku për jetën nga njëra anë dhe mjete e burime trafiku nga ana tjetër. Jo më pak të suksesshme qenë operacionet policore për kapjen e personave në kërkim, të larguar nga vendet e vuajtjes së dënimit si dhe puna voluminoze e Policisë Kriminale për hapjen e dosjeve të zbulimit të autorëve të ngjarjeve kriminale në kohën e “çmendurisë” së njerëzve të papërgjegjshëm.

Ndonëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë qe atashuar një ekip i madh specialistësh të policisë nga vendet e Bashkimit Evropian, duhet pranuar se ata mbeten thjesht këshilltarë apo asistentë të programeve, që bëheshin sot e ndryshoheshin nesër, pra thjesht të një pune burokratike, ku më të shumtën secili punonte për kredibilitet të vendit nga kishte ardhur apo për interes të tyre. Asnjëherë ata nuk u bënë pjesë e planifikimeve operacionale në rastet e vështira, ku kërkohej profesionalizëm i lartë dhe përvojë operacionale policore, por edhe dëshmitarë nuk u pëlqente të ishin, kur Policia, e drejtuar nga Sokol Baraj, sakrifikonte çdo moment për zbatimin rigoroz të detyrave. Në saje të këtyre përpjekjeve u rrit besimi i punonjësve të Policisë tek drejtuesit e aftë dhe tek njëri-tjetri. Janë të shumtë raste kur policët nuk kursenin as jetën në përmbushjen e misionit të Policisë dhe përgjegjësitë funksionale.

Edhe bashkëpunimi i Policisë me komunitetin filloi të përmirësohet, aq sa në shumë ndërhyrje kundër bandave kriminale, qytetarët u bashkuan me policinë dhe bashkëpunuan me informacione për identifikimin e personave me rrezikshmëri kriminale, si në Vlorë, Shkodër, Tiranë, Elbasan, Berat, Korçë, ku organizatat kriminale kishin vrarë qytetarinë e tmerruar njerëzit që kërkonin mbrojtjen e fuqinë e shtetit. Ahere kur duhej t’i gëzohej rezultatit të arritur, në muajin maj 1998, ai lirohet nga detyra me një motivacion të pakuptimtë “Lirim nga detyra për efekt të ristrukturimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë”, motivacione që i ka përdorur ka herë politika sharlatane e matrapazëve politikë shqiptarë. Pas katër muajve në pritje, në muajin gusht 1998, Baraj, u emërua këshilltar i Kryeministrit Fatos Nano, për problemet e Sigurisë Kombëtare, ndërsa pak muaj më pas, në muajin shkurt 1999, rezulton të ketë qenë këshilltar pranë delegacionit kosovar në takimin e Rambujes, në Francë, kur u diskutua zgjidhja e çështjes kosovare (takimet dypalëshe të delegacioneve jugosllave e kosovare).

Rastësia e ka bërë të ndjehet krenar për këtë përgjegjësi të lartë që iu caktua, të jetë pranë delegacionit kosovar në Rambuje, me detyrë që të asistojë për çështje të sigurisë dhe rendit. Duke kujtuar atë kohë, Baraj, është shprehur: “U nisa në Rambuje dhe aty pashë që fati më kishte rezervuar mundësinë të prekja historinë nga pranë. Në hotelin ku ndodheshin dy delegacionet, shqiptar dhe serb, shpesh serbët dilnin në dritare, thërrisnin me emra anëtarët kosovarë të delegacionit dhe i kërcënonin. U thoshin se nuk duhej të firmosnin në asnjë mënyrë marrëveshjen dhe se nëse do ta bënin një gjë të tillë, atëherë ata do t’u vrisnin familjet që u kishin mbetur në Kosovë. Fatmirësisht, ndryshe nga sa kërkonin serbët në Rambuje apo dhe Berisha në Tiranë që e konsideronte firmosjen e marrëveshjes si tradhti kombëtare, kosovarët e Hashim Thaçit bënë atë akt historik që tetë vjet më vonë i dha Kosovës pavarësinë”. Një muaj më pas, mars 1999, Sokoli u caktua këshilltar i ministrit të Brendshëm.

Edhe në këtë detyrë nuk ka qëndruar gjatë, mbasi, në shkurt të viti 2000, u caktua drejtor i Përgjithshëm në SHIK. Në vitin 2003, u lirua nga kjo detyrë dhe u nxor në lirim pa asnjë efekt financiar me urdhër të Kryeministrit rrumpallë e të papërgjegjshëm, Fatos Nano, i cili e kishte shkarkuar në kohën e vlerësimeve maksimale që Sokoli pati nga ndërkombëtarët, kur qe drejtor i Përgjithshëm i Policisë, masë të cilën Baraj e kundërshtoi në gjykatë dhe mbas një maratone 4- vjeçare, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në janar 2007, “në emër të Republikës” dhanë me “stërmundim” vendimin më elementar e njerëzor, për rikthimin e tij në punë dhe pagesën për gjithë periudhën e qëndrimit pa punë, vendim i cili, në Shqipërinë ku ka demagogji “Rex Republica” ende nuk është zbatuar edhe sot e kësaj dite. Në vitin 2004, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, i periudhës kur shteti ishte lakuriqësuar e Policia ekzistonte më tepër si nocion e strukturë amorfe, faktikisht e gjymtuar dhe e plagosur, e pa zonja të kryente misionin e saj, u emërua për turpin e kohës në funksionin “pedagog” në Akademinë e Rendit.

Si kuadër i bindur ndaj vendimeve hierarkike dhe në nevojë për të ushqyer familjen, Sokol Baraj, pranoi të punojë kokulur si pedagog deri në 1 prill të viti 2006, kohë kur u zëvendësua dhe u nxor në reformë nga “qeveria demokratike” e Sali Berishës. Kanë kaluar disa vite nga ajo çmenduri njerëzore dhe ai kujton me nostalgji sakrificat për të cilat nuk mori asnjë shpërblim, mbasi është koha e të paaftëve dhe militantëve partiakë për të punuar në shtetin e kapur nga pushteti, uzurpuar prej klaneve partiake, krahinore, apo grupazhe brezash e njerëz interesash. Aktualisht Sokol Baraj nuk lejohet të ushtrojë profesionin e tij, fituar me vendim të komisionit shtetëror, i diplomuar në profesionin e oficerit, për arsye se ua ka heqë kurdoherë petët lakrorëve politikë e nuk është bërë palë e grupeve, klaneve, pjesë e “rrethit”, militant apo hyzmeqar i të korruptuarve. Nejse ka pasur dhe ka ende shokë edhe ai.

Sokoli meriton të përgëzohet për guximin që ka treguar të rrëfejë të vërteta si kjo në vijim: “Për kokën e Azem Hajdarit janë paguar 150 mijë dollarë. Këtë shifër na ka përmendur si të vënë në dispozicion të vrasësve, një shërbim i huaj inteligjence”. Duke dëshmuar publikisht, për herë të parë, për një nga misteret më të mëdha të postpluralizmit, vrasjen e deputetit demokrat Azem Hajdari, ai ka përmendur se: “Ka pasur një proces, janë dënuar disa individë si ekzekutorë, por ideatorët e tij nuk janë zbuluar akoma. Por nëse ata nuk kanë një emër konkret për publikun shqiptar, për shërbimet e huaja që kanë asistuar apo survejuar zhvillimet kaotike shqiptare, ata janë krejt të njohur.

Nëse shihni me vëmendje dokumentet e procesit, mungon motivi i vrasjes së deputetit të PD-së. Në mos sot, nesër, e vërteta do të dalë plotësisht në dritë dhe në një mënyrë tronditëse”, mbasi, sipas tij, “asnjë e vërtetë nuk ka të drejtë të mbetet në varr për shumë kohë, nuk mund të mbetet enigmë përgjithmonë. Sot apo nesër, ditën kur politika do të lerë drejtësinë të veprojë, kjo dosje do të hapet pa diskutim. Ai që mendon se gjithçka ka mbaruar, thjesht e ka gabim”.

Baraj nuk ka nguruar të akuzojë të ashtuquajturën reformë në polici, për veshjen me uniformë të njerëzve që nuk kanë asnjë lidhje me profesionin, por që politika i ka përgatitur si një detashment besnikësh për t’i përdorur në një moment të caktuar. “Shqipëria tashmë për shkak të krimit të organizuar dhe korrupsionit është përfshirë në hartën e vendeve nën observim. Kjo ndodhi në 2007, ndërkohë që pesë vjet më parë, në 2002, ajo e kishte lënë këtë kategori vendesh. Dhe vend në observim do të thotë se elementët e luftës kundër krimit të organizuar janë në parametra minimalë dhe se rrezikshmëria e tij mund të kërcënojë edhe vende fqinjë”.

Sokol Baraj, ndonëse është tip i rezervuar në komunikime e për më tepër në deklarime, por i bindur se nuk po gabon, ka guxuar të demaskojë politikën shqiptare, duke denoncuar si vijon: “Le të bëjmë një kronologji të fakteve: në vitin 1995, deri në 45 për qind e nevojave të makinës serbe të luftës, sipas të dhënave të agjencive të specializuara, furnizohej me naftë nga Shqipëria. Nga Shqipëria dërgohej edhe karburant special për avionët; deri në vitin 1997, veprimtaria e UÇK-së në Tiranë ishte krejt ilegale. Anëtarë të saj, deri dhe vetë Hashim Thaçi arrestoheshin nën akuza absurde.

Thaçi për shembull u paraburgos sepse u gjet me dy karikatorë me fishekë; po në 1997, gazeta e një partie kryesore në Shqipëri e konsideronte UÇK-në pjellë të UDB-së Jugosllave; në vjeshtën e 1998, në ditët kur lufta në Kosovë dukej në prag, në Tiranë pati një tentativë për grusht shteti; në shkurt 1998, nga sheshi Skënderbej deklarohej se firmosja e Rambujesë do të konsiderohej si tradhti kombëtare. Të gjitha këto fakte e duan një përgjigje dhe një ditë do ta marrin”535). Sokoli ka mbajtur gradën ushtarake “kolonel”.

Në vitin 1997, kohë kur Policia mori në zotërim të gjithë kontrollin e territorit në vend, duke mposhtur bandat, thyer mitin e tyre që kishin tmerruar popullin me grabitjet ditën për diell, duke fituar besimin e merituar në popull dhe institucionet shtetërore e organizmat monitoruese ndërkombëtare, Sokolit iu kërkua të bëhej procedura për gradimin “gjeneral”, së bashku me stafin e tij, por 33 vjeçari Baraj, nuk e pëlqeu këtë propozim, me argumentin se ka kohë për atë dhe stafin në varësi të tij. Aktualisht punon në Rinas, në profesionin jurist.

*Marrë nga libri “DREJTORËT E PËRGJITHSHËM TË POLICISË SHQIPTARE, 1913-2013”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: