Sokol Kushta vlerëson pozitive zgjedhjen e Flamurtarit për stolin. Në një prononcim të dhënë dje për gazetën “Panorama Sport”, legjenda e futbollit vlonjat, Sokol Kushta, e cilësoi Ilir Dajën si një ndër trajnerët më të mirë shqiptarë. Kushta deklaron se Daja është zgjedhja e mirë për stolin.

“Ilir Daja është një nga tre trajnerët më të mirë sot për sot në Shqipëri. Ardhja e tij në Vlorë është shumë pozitive për Flamurtarin. Besoj shumë se me këtë zgjedhje është bërë një gjë shumë e mirë, pasi Daja është një nga trajnerët më të mirë të Superiores shqiptare. Kështu që, çështja e trajnerit është zgjidhur mjaft mirë për sezonin e ri”, tha fillimisht Kushta.

MERKATO – Ish-futbollisti i shquar Sokol Kushta flet edhe për afrimet dhe rinovimet. Ai nuk preferon të flasë gjatë për këtë çështje, pasi siç thotë për gjithçka vendos trajneri. “Për blerjet nuk mund të këshilloj se është trajneri me stafin që do vendosin. Kurse për atë që të ruhet grupi apo jo, në fakt unë pyes, ku ka grup? Gjithsesi, nuk jam unë që vendos për afrimet dhe aq më shumë për rinovimet. Nuk e di cilët lojtarë do trajneri. Në këto kushte nuk jam unë që gjykoj”, u shpreh Kushta.

OBJEKTIVAT –
Ai deklaron se ka bindjen se Flamurtari do të jetë i suksesshëm sezonin e ri. Kushta e shikon skuadrën mes tre ekipeve të para. Legjenda e futbollit vlonjat deklaron se Flamurtari duhet që të harrojë çfarë ka ndodhur dhe tani të shikojë përpara. “Për dështimet ne kemi folur shumë. Tani duhet që të shikojmë përpara. Unë besoj se me ardhjen e Dajës në krye të Flamurtarit, ekipi do të ketë suksese. Kam bindjen se Flamurtari do të jetë sezonin e ri mes tre ekipeve të para”, përfundon Kushta.
Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/kushta-daja-zgjedhja-e-duhur-flamurtari-do-jete-per-europe/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb