Gjermania po përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme për të zgjedhur Bundestagun, dhomën e parlamentit të saj, më 23 shkurt 2025. Zgjedhjet gjermane erdhën pasi koalicioni tre ngjyrësh i quajtur “semaforik”, socialdemokratët, liberalët dhe të gjelbrit mori fund. Sistemi zgjedhor gjerman është proporcional, kështu që sondazhet janë një panoramë të mirë se çfarë forme qeverisje mund të jetë e mundur pas zgjedhjeve.

Kancelari aktual, Olaf Scholz kandidon sërish për të qenë numri 1 i qeverisë gjermane, përballë Friedrich Merz, kryetarit të CDU/CSU që pritet të befasojë jo pak në këto zgjedhje.

Dhe pikërisht sondazhi i fundit, i datës 6 janar 2025, i publikuar nga The Guardian e paralajmëron një gjë të tillë. Socialdemokratët e Kancelarit në largim Olaf Scholz renditen të tretët me vetëm 15.6% të votave. Kjo forcë politike në koalicion me Të Gjelbrit dhe Liberalët qeveris Gjermaninë prej vitit 2021. Sondazhet i kryeson ish-forca politike e Angela Merkel, CDU/CSU me 32.3%, ndërsa të dytët vijnë ekstremistët e AfD me 18.9%.

Të Gjelbrit renditen të katërtit, pas SPD me 13.4%.

Sondazhi I Fundit Gjerman
Sondazhi I Fundit Gjerman

Profilet e partive politike dhe kandidatët për Kancelar

SPD – Social Demokratët me kryetar Olaf Scholz

Scholz
Scholz

SPD është forca tradicionale e qendrës së majtë dhe partia më e vjetër politike e Gjermanisë. Pas vitesh rënie elektorale, ajo rikuperoi disi në vitin 2021, duke i mundësuar Olaf Scholz-it të bëhej Kancelar në krye të një koalicioni “semaforik”, pjesë e të cilit ishin Socialdemokratët, Liberalët dhe të Gjelbrit.

CDU/CSU – Kristian Demokratët, kryetar Friedrich Merz

Friedrich Merz1
Friedrich Merz1

CDU e qendrës së djathtë dhe partia e saj simotër në Bavari, CSU, pëlqejnë ta promovojnë veten – jo pa arsye – si partitë e natyrshme të qeverive gjermane. Këto dy forca politike si koalicion kanë udhëhequr Gjermaninë më shumë se çdo spektër tjetër, pas luftës. Ato “luftuan” për të rifituar pozitat elektorale pas tërheqjes së Angela Merkel nga politika, por janë ringjallur në sondazhe vitet e fundit. Në zgjedhjet e 23 shkurtit, CDU/CSU pritet të fitojnë shumicën në Bundestag.

Të gjelbrit, drejtohen nga Robert Habeck

Robert Habeck
Robert Habeck

Të Gjelbrit e Gjermanisë janë një forcë politike mjaft e fortë në krahasim me partitë e ngjashme në vende të tjera. Ata kanë qenë pjesë e koalicionit të Scholz-it në këtë parlament, ku Habeck ka shërbyer si ministër i ekonomisë dhe një tjetër personazh i njohur nga radhët e të Gjelbërve, Annalena Baerbock, si ministre e Jashtme.

AfD – Nacionalistët e ekstremit të djathtë, kryetare Alice Weidel

Alice Weidel
Alice Weidel

AfD – Alternativa për Gjermaninë (Alternativa për Gjermaninë) është një parti e ekstremit të djathtë e cila është kundër imigrimit dhe integrimit europian. Ajo u themelua në vitin 2013 dhe në përgjithësi ka lëvizur si pjesë e të djathtës që atëherë. Ajo hyri për herë të parë në parlament në vitin 2017.

Forca të tjera politike pjesëmarrëse në zgjedhjet gjermane të 23 shkurtit:

Aleanca Sahra Wagenknecht, një ish politikane e të Majtës e cila u largua për të themeluar partinë e saj e cila për momentin ka eklipsuar atë të ish-kolegëve të saj dhe ka formuar një grup të shkëputur nga ata, në Bundestag.

Po ashtu, Liberalët e Christian Lindner, FDP, një forcë politike e vogël liberale pro-biznesit, më pak konservatore kulturalisht se CDU dhe me parime më të lira ekonomike se sa SPD. Kreu i saj, Christian Lindner ishte ministër i Financave gjatë qeverisë Scholz, derisa shkarkimi i tij, duke humbur mocionin në Bundestag, përshpejtoi rënien e koalicionit.

E Majta e drejtuar nga Jan Van Aken dhe Heidi Reichinnek, është formuar nga të mbeturit e komunistëve të vjetër gjermano-lindorë dhe socialdemokratëve disidentë të pakënaqur me centrizmin në rritje të SPD-së. E Majta është tani një parti populiste e majtë me mbështetje të përqendruar në lindje në Gjermanisë.

Por cilat do të jenë koalicionet e mundshme?

Është thuajse e pamundur që ndonjë parti të ketë shumicën e vetme në Bundestag. Gjermania ka njohur koalicione të mëdha si ajo mes CDU/CSU dhe SPD. Kualicioni i madh mund të përsëritet edhe pas 23 shkurtit.

Një koalicion i mundshëm është edhe ai mes CDU/CSU dhe Të Gjelbërve. Po ashtu, një opsion tjetër është që pjesë e këtij koalicioni të bëhen edhe Liberalët.

Sikurse, sipas studiuesve të sondazheve dhe të prirjes së votuesve, mund të përsëritet edhe “Semafori”, koalicioni trengjyrësh që qeverisi së fundi Gjermaninë, SPD, Të Gjelbrit dhe Liberalët – FDP.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb