Analisti Ben Andoni ka komentuar sondazhin më të fundit të News24, realizuar në bashkëpunim me kompaninë italiane Notosondaggi, mbi pritshmëritë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

I ftuar në studion e News24, ai ndau vëzhgimet e tij për situatën politike dhe perceptimin e publikut ndaj dy figurave kryesore të garës, Edi Rama dhe Sali Berisha.

Sipas Andonit, kryeministri Rama duket se po përfiton nga inercia e fitores, ndërsa Berisha ndodhet përballë një sfide të vështirë, që ai e konsideron si “përballjen e fundit me pushtetin”.

“Te Rama ndjej inercinë e fitores, ndërsa te Berisha ankthin për përballjen e fundit me pushtetin,” tha Andoni.

Ai vuri në dukje edhe shqetësimet brenda Partisë Demokratike, sidomos për strukturën e listave të mbyllura dhe nivelin e përfshirjes së demokratëve në fushatë.

Megjithëse Andoni e cilësoi pozitivisht angazhimin e konsulentit amerikan Chris LaCivita, ai theksoi se të huajt shpesh nuk e njohin realisht situatën shqiptare, duke shtuar se mbetet për t’u parë nëse kjo ndihmë do të përkthehet në rritje të mbështetjes për PD-në.

“PD duhet të punojë shumë fort për të arritur atje ku synon. Diferenca aktuale është e konsiderueshme,” përfundoi analisti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb