Në një intervistë për News 24, Barbara Doda, koordinatore e qarkut të Tiranës për Partinë Mundësia, u shpreh e kënaqur me ecurinë e forcës politike që përfaqëson. Sipas saj, sondazhi i fundit nga Notisondaggi në News24, që i jep Partisë Mundësia 6.5% të mbështetjes, është një tregues i rritjes së përditshme dhe besimit në rritje të qytetarëve shqiptarë.
“Partia Mundësia po forcohet çdo ditë, kemi struktura në të gjithë Shqipërinë dhe jemi të vendosur të garojmë në çdo qark,” u shpreh Doda. Ajo theksoi se partia e saj përfaqëson të djathtën e vërtetë, që beson te fuqia e tregut dhe zhvillimi i sipërmarrjes.
Doda kritikoi ashpër qeverinë aktuale, të cilën e cilësoi si më të korruptuarën në historinë e vendit, dhe u shpreh se Partia Mundësia nuk ka ndërmend të bashkëpunojë me Partinë Socialiste apo partitë e mëdha. Ajo theksoi se partia synon të marrë të paktën 7 mandate në zgjedhje dhe se deputeti aktual, Agron Shehaj, është pjesë e këtij rrugëtimi të ri.
“Ne besojmë se shteti ka qenë problemi dhe jo zgjidhja. Duam një shtet të vogël, por që funksionon mirë. Ne nuk e kemi me punonjësit e administratës, por me ata që paguhen nga PS si patronazhistë,” tha ndër të tjera Doda.
Ajo gjithashtu propozoi që, nëse do të mbyllej TVSH-ja, me këto para mund të ndërtoheshin dhjetëra shkolla, duke treguar prioritetin e partisë për investime në arsim dhe zhvillim.
Barbara Doda, koordinatore e qarkut të Tiranës e Partisë Mundësia: Jam e kënaqur me punën që kemi bërë deri tani. Ne përditë rritemi. Partia Mundësia ka fituar besimin e mjaft shqiptarëve. Mundësia ka struktura në mbarë Shqipërinë. Partia Mundësia mbështet shqiptarët për të pasur një jetë normale. Ne jemi parti e djathtë dhe ne besojmë tek fuqia e ekonomisë. Ne na duhen dhe më tepër para, që ta bëjmë Shqipërinë të ngjashme me vendet e BE-së. Ne mendojmë se shteti ka qenë problemi dhe jo zgjidhja. Ne duam që të zhvillojmë sipërmarrjen. Ne duam që shteti të jetë sa më i vogël dhe të funksionojë siç duhet. Nëse do mbyllej TVSH, mendoj se me ata para mund të ndërtojmë 10 shkolla. Ne nuk e kemi me ata që punojnë në administratë, e kemi me ata që paguhen nga PS si patronazhistë. Ne jemi shumë më lart se 6.5 përqind dhe ne kudo do garojmë. Ne duam së paku 7 mandate. Ne një deputet e kemi, Agron Shehajn. Nuk jemi vetëm ne parti e re, ky është një rrugëtim i ri. Ne nuk bashkëpunojmë me PS-në, ne jemi kundër qeverisjes më të keqe që ka pasur Shqipëria, me këtë qeveri që është e korruptuar. Nuk bashkëpunojmë me partitë e mëdha.