KOSOVË

Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit ka nxjerrë të dhëna për sondazhin me opinionet e qytetarëve, të pyetur për  vijimin e dialogut  mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga të dhënat thuhet se 62 për qind e qytetarëve mbështesin vazhdimin e dialogut në momentin aktual, ndërkohë 30 për qind mbështesin  korrigjimin e kufirit me Serbinë dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Para liderëve institucional e politik në Kosovë, Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit prezantoi sot sondazhin e realizuar me qytetarët e Kosovës rreth dialogut Kosovë-Serbi. Në këtë sondazh janë testuar tre skenarë me qytetarë, që sipas raportit, nuk ka përkrahje substanciale nga komuniteti shumicë në Kosovë, për ndonjërin nga këta skenarë.

Skenari i parë ka të bëjë me status-quo’n, ku vetëm 16 për qind e qytetarëve të Kosovës mbështesin këtë status-quo aktuale mes Kosovës dhe Serbisë.

Skenari i dytë ka të bëjë me Asociacionin e Komunave  më Shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive, në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia, ku vetëm 10 për qind e mbështesin këtë skenar.

Ndërsa skenari i tretë ka të bëjë me korrigjimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, në këmbim të njohjes globale dhe anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ky skenar u mbështetet nga 30 për qind.

Labinot Greiçevci nga RIDEA, në tryezën e organizuar me temën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka treguar detaje rreth sondazhit që kanë bërë me 1000 respodentë, raporton KP.

“E para, është se qytetarët e Kosovës, 62 për qind e tyre mbështesin vazhdimin e dialogut. E dyta, kemi testuar tri skenarë të cilat i kemi radhitur sipas radhitjes në vijim. E para, Status Quo-ja, vetëm 16 për qind e qytetarëve e mbështesin status quon aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Skenari i dytë që e kemi testuar ka qenë Asociacioni i komunave me kompetenca ekzekutive në këmbim të njohjes de fakto të pavarësisë së Kosovës, vetëm 10 për qind e mbështesin këtë skenar. Dhe, skenari i tretë që e kemi testuar në sondazh ka qenë korrigjimi i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë në këmbim të njohjes globale të Kosovës dhe anëtarësimin në OKB. Mbështetja për këtë skenar nga qytetarët e Kosovës ka qenë në vlerën 30 për qind”, tha Greiçevci.

Sondazhi “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” u bë me qëllim të identifikimit të perceptimeve dhe qëndrimeve të qytetarëve në lidhje me skenarët rreth finales së madhe mes dy vendeve.

Grupi i parë i gjetjeve tregon se shumica e popullsisë së Kosovës është kundër ndërprerjes së dialogut.

Ndërsa grupi i dytë i gjetjeve fokusohet te vijat e kuqe të Kosovës lidhur me fazën përfundimtare të dialogut. Sondazhet tregojnë se Liqeni i Ujmanit duhet të mbetet brenda territorit të Kosovës, Trepça duhet të mbetet pjesë e Kosovës dhe Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës.

“Liqeni i Ujmanit duhet të mbetet brenda territorit të Kosovës. Trepça duhet të mbetet pjesë e Kosovës, Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës( 69% e shqiptarëve kundrejt 0% të mostrës serbe). Lugina e Preshevës duhet t’i mbetët Serbisë (13% e shqiptarëve, kundrejt 84% të mostrës serbe). Veriu i Kosovës: Zveçani, pjesë të Zubin Potokut dhe Leposaviqit nuk duhet ti bashkohen Serbisë( 91% të shqiptarëve kundrejt 10% të mostrës serbe)”, thuhet në sondazhin e publikuar.

Sondazhi tregon se popullsia serbe dhe shqiptare flasin me zëra të ndryshëm sa i përket vijave të kuqe, por pajtohen për nevojën e vazhdimit të dialogut. Sondazhi është përkrahur nga Ambasada e Norvegjisë në Kosovë. 43 për qind e përkrahin idenë që Kosova duhet të kërkojë bashkim me Shqipërinë në rast të njohjes de facto dhe de jure nga Serbia, dhe 50 për qind e refuzojnë këtë ide.

“Megjithatë, 49 për qind në mesin e shqiptarëve dhe 76 për qind e serbëve nuk pajtohen me opsionin që Kosova duhet të kërkojë bashkimin me Shqipërinë në rast të njohjes de facto dhe te jure nga Serbia”, thuhet në sondazh. Nga ky sondazh i publikuar sot del se opinioni publik është jo konsistent dhe me pozicione kontradiktore.

Sipas raportit, për të qenë e pranueshme ndonjë marrëveshje e ‘Finales së madhe’ nga shumica në Kosovë, ajo duhet të sjell diçka të qëndrueshme, thelbësore dhe funksionale në vend, në të kundërtën është e destinuar të dështojë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb