MAQEDONI- Shkupi sot do të jetë në fokusin e vëmendjes jo vetëm të opinionit evropian por edhe të atij botëror.

Kryeqyteti i Republikës së Maqedonisë e ka privilegjin që të presë dy prej tre klubeve botërore më të pasura dhe më të njohura botërore, Real Madrid dhe Manchester United, të cilët do të luftojnë për trofeun e Superkupës së Evropës.

Dy ekipet mbërritën dje në aeroportin “Aleksandri i Madh” prej ku, nën masa rigoroze të sigurisë, janë transferuar në hotelet në të cilat qëndrojnë, Real Madridi në “Aleksandar Pallas”, ndërsa Manchester United në “TCC Grand plaza”. Fansat e Maqedonisë i pritën me ovacione dhe brohoritje.

Autoritetet maqedonase, kanë deklaruar se rreth 2000 forca policore do të jenë në detyrë, ndërsa zhvillohet ndeshja në stadiumin Filipi i Dytë, në kryeqytetin e Maqedonisë.

Edhe krahas paralajmërimeve të mediave spanjolle se në Shkup nuk do të vijë Kristiano Ronaldo, ai është pjesë e “ekipit mbretëror”. Ronaldo filloi me trajnimin para tre ditësh, por nuk dëshiron ta humbë ndeshjen e sontme kundër ish-ekipit të tij. Se është i gatshëm e konfirmoi edhe trajneri i Realit, Zinedin Zidan, i cili ka treguar mundësinë që Christiano Ronaldo të jetë pjesë e ndeshjes.

Në “zonën neutrale të fansave” e cila është e hapur nga ora 11:00 deri në orën 19:00, adhuruesit e futbollit do të mund të argëtohen me përmbajtje të shumta, ndërsa është parashikuar edhe program i pasur muzikor i dixhejve dhe këngëtarëve të njohur nga Maqedonia.

Vëmendjen më të madhe pritet ta tërheqin tre trofetë e UEFA-s, (e Ligës së kampionëve, Ligës së Evropës dhe Super kupës), pasi është mundësia që vizitorët të fotografohen pranë tyre.

Në stadium janë vendosur vetëm flamuj të finalistëve dhe të Spanjës dhe Anglisë. Nuk do të lejohen flamujt që bartin mesazhin me përmbajtje kërcënuese për sigurinë publike, përfaqësojnë qëndrimin e dikujt ose kanë mesazhe ofenduese ose diskriminuese. Do të merren edhe flamujt të cilët u pengojnë pamjen shikuesve të tjerë dhe kamerave televizive.

Dueli midis fituesve aktual në Ligën e kampionëve Real Madrid dhe Mançester Junajted si fitues i Ligës së Evropës, do të fillojë në orën 20:45, ndërsa nga FFM-ja apelojnë që të gjithë ata të cilët do ta ndjekin ndeshjen në Arenën “Filipi i Dytë”, duhet të jenë më herët në stadium.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb