Në kuadër të Javës Evropiane të të rinjve Ambasadori i BE-së Luigi Soreca, Ambasadorja e Francës, Christine Vasak dhe një grup studentësh e pedagogësh nga Universiteti i Strasburgut, zhvilluan një takim me studentë e pedagogë të gazetarisë dhe jo vetëm të Universitetit të Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani”.

Në fjalën e marrë me këtë rast, ambasadori Soreca shprehu kënaqësinë e veçantë të takimit mes dy universiteteve dhe e cilësoi këtë takim si një këmbim të shkëlqyer idesh dhe përvojash në rrugën drejt integrimit të Bashkimit Evropian. Ambasadori i BE theksoi se rinia shqiptare duhet të jetë mjaft aktive në pjesëmarrjen e europianizimit të Shqipërisë, në kuadër të integrimit në BE.

“Fakti që kemi besim te fuqia e rinise shqiptare është ngaqë këtu rinia përbën 40% të popullsisë nën 30 vjeç. Është shumë interesante që sot bashkëbisedojmë në Elbasan me studentë nga një vend themelues i BE si Franca dhe të një vendi kandidat si Shqipëria. Edhe ambasadorja e Francës Christine Vasak se takime të tilla përafrojnë më shumë qasjen evropiane të Shqipërisë, veçanërisht të të rinjve.

Rektori i Universitetit të Elbasanit, Prof. Dr. Skënder Topi nënvizoi në fjalën e tij se Universiteti i Elbasanit ka organizuar një sërë aktivitetesh të kësaj natyre dhe vetëm këtë javë, në kuadër të Erasmus +, u organizua takimi me 22 universitete në Evropë e Botë.

Sipas tij, ndërkombëtarizimi i universiteteve në epokën që po jetojmë është një domosdoshmëri. Më tej studentë e pedagogë u përfshinë në një diskutime të frytshme të cilat shërbyen për të krijuar një panoramë më të qartë se si e konceptojnë të rinjtë shqiptarë Evropën dhe të rinjtë francezë Shqipërinë.

Ambasadori i BE ,Soreca nuk dëshiroi të bënte komente rreth aktualitetit politik në Shqipëri gjatë bashkëbisedimit me studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, por nuk ngurroi t’u uronte suksese në sezonin e provimeve të radhës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb