Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca ka shkuar në këto momente në kryeministri për t’i dorëzuar kryeministrit të vendit Edi Rama progres raportin e Komisionit Europian i cili vlerëson se Shqipëria ka arritur progres të rëndësishëm, prandaj edhe i ka rekomanduar Këshillit të Europës, hapjen e negociatave me Shqipërinë. Soreca deklaroi ndër të tjera, se përballë këtij fakti, të gjitha palët politike duhet të lënë mënjanë dasitë politike.

“Kam kënaqësinë t’ju konfirmoj se Komisioni Europian i rekomandon Këshillit të Europës hapjen e negociatave me Shqipërinë .Përgëzime për punën e mirë që keni bërë. Vettingu ka ecur përpara ka avancuar duke nxjerrë më shumë se 140 vendime. Së dyti lufta ndaj krimit të organizuar ka çuar në një sërë operacionesh të mëdha. Ngritja e Task Forcës korrupsion ka rritur procesin proaktiv të hetimit brenda administratës, vettingu ka çuar në largimin e një numri të gjyqtarëve të korruptuar”, tha Soreca, duke shtuar se sfidat nuk mbarojnë me kaq.

Soreca deklaroi ndër të tjera, se përballë këtij fakti, të gjitha palët politike duhet të lënë mënjanë dasitë politike.

“Konsensus për integrimin, tejkaloni polarizimin, tejkaloni ndasitë partiake. Të jeni të bashkuara përpara integrimit. Ne ritheksojmë të angazhoheni në dialog, Sot Shqipëria ka arritur një gur kilometrik shumë të rëndësishëm”,- vijoi Soreca.

Ndërsa kryeministri i vendit Edi Rama, deklaroi se pas këtij hapi, Shqipëria pret vendimin politik të Këshillit të Europës. Pikërisht për të bindur këshillin ai tha se do të punohet fort.

“I kemi bërë me përpikmëri të gjitha detyrat e shtëpisë, për këtë fakt KE, i cili është mekanizmi më i besueshëm lidhur me vlerësimin e ecurisë së një vendi, sot ka konfirmuar rekomandimin pozitiv pa kushte për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE. Faktikisht vitin e shkuar morëm rekomandim pa kushte dhe Këshilli Europian vendosi që në qershor 2019 të zyrtarizojë çeljen e negociatave për anëtarësim dhe në dhjetor të nisë procesi. Ç’ka është e rëndësishme për ne, për të gjithë shqiptarët është se përsëri komisioni ka konfirmuar progres dhe bazuar në fakte në shifra e analiza ka ri rekomanduar çeljen e negociatave, ndryshe nga sa ka ndodhur me vende të tjera Shqipëria de facto ka filluar procesin screening. Nga pikëpamja e procesit në vetëvete, Shqipëria nuk ka humbur asnjë minutë. Ky vit nga viti i shkuar kur u dha rekomandimi i parë, ka qenë një vit intensiv pune me komisionin sa i përket aspekteve të legjislacionit siç ndodh me të gjitha vendet e tjera. Ky është hapi i parë hapi i dytë konfirmues është Këshilli Europian, mbledhja e gjithë udhëheqësve politikë. Në hapin e parë kriteret janë objektive tek i dyti gjykimet janë politike. Ne do bëjmë gjithçka që të influencojmë gjykimin politik”,- tha ai.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb