Është mbajtur ceremonia e mbylljes së presidencës rumune në Këshillin e BE.

Në këtë ceremoni mori pjesë ambasadori i BE në Tiranë Luigi Soreca dhe ambasadori rumun në vendin tonë Mircea Perpelea.

Soreca në fjalën e tij tha se falënderon Rumaninë, edhe për faktin se shteti rumun, në kohën që ka kryesuar Këshillin e BE ka dhënë rekomandime pozitive për Shqipërinë.

Ne po mirëpresim presidencën e radhës. Samiti i 9 majit ka qenë shumë i rëndësishëm për të gjithë punën tonë dhe kjo ishte ndër ngjarjet kryesore të presidencës rumune. Pjesë e axhendës ka qenë edhe zgjerimi i mëtejshëm i hapësirës së BE, duke plotësuar kushtet dhe standardet.

Ashtu siç e kanë thënë krerë të lartë të BE, presidenca rumune ka bërë shumë, i jap urimet e mia presidencës rumune për punën që ka bërë gjatë gjithë kësaj periudhe. Patjetër që është përballur me një moment kompleks. BE po vendos liderët e rinj. Po bëhet një reformim i ri i pozicioneve në Bashkimin Europian. Pozicinet e reja të Komisionit Europian e marrin detyrën në fillim të tetorit.  Ekzekutivi me siguri po merr detyrat e reja. Është periudhë e ngjeshur për BE. Urime për punën që keni bërë gjatë gjithë kësaj kohe nën presidencën rumune”, tha Soreca.

Ndërkaq, ambasadori rumun në vendin tonë Mircea Perpelea deklaroi se Rumania ka punuar për zgjerimin e mëtejshëm të BE, si dhe është përpjekur të jetë afër vendeve që duan të aspirojnë për integrim të plotë në Bashkimin Europian.

“Kemi punuar për një Europë më të mirë. Jemi përpjekur të avancojmë sa më shumë axhendën europiane. Jemi përpjekur të mbajmë premtimet tona që kemi dhënë gjatë kësaj periudhe. Kemi pasur rezultate të mira dhe mbi të gjitha jemi përpjekur të qëndrojmë neutral. Kemi qenë në gjendje t’i arrinim të gjitha prioritetet tona, në Ballkanin Perëndimor, por veçanërisht në Shqipëri. Rumunia ka dhënë sinjale pozitive për Shqipërinë për të avancuar më tej integrimin. Sa i përket integrimit, mendimet kanë qenë gjithmonë pozitive”, tha Perpelea.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb