TIRANË

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Luigi Soreca deklaroi sot se reforma në drejtësi është e pakthyeshme dhe po ecën para duke e parë si një sukses të zhvillimeve në vend.
Gjatë takimit prezantues të dokumentit metodologjik “Monitorimi i Integritetit Gjyqësor”, Soreca tha se aspiratat e qytetarëve për këtë reformë nuk duhen zhgënjyer. Ndonëse dy gjykatat, ajo e Lartë dhe Kushtetuese nuk funksionojnë, Soreca tha se sot ka më shumë institucione të reja se dje dhe nesër do jenë më shumë.

“Të përdorim cdo mjet ligjor për të denoncuar akte të jashtëligjshme. Shumica e qytetarëve shqiptarë janë për reformën. Aspiratat nuk duhen zhgënjyer. Sot ne numërojmë më shumë instittucione të reja se sa dje dhe nesër do numëroni më shumë. Sa i përket integritetit është arritur përparim i madh”, deklaroi ambasadori i BE.


Ai theksoi se reforma e drejtësisë është zbatuar në përputhshmëri me kushtetutën dhe legjislacionin vendas. “Është një sukses. Reforma e pakthyeshme dhe po ecën përpara. KE pas disa ditësh do të prezantojë raportin e progresit, pra arritjet e shqipërisë në tërësi. Do shikojmë dhe tranzicionin. Tranzicionet janë gjëra sfiduese që kërkojnë durim. Ne nuk duhet të harrojmë koston. Reforma në drejtësi dhe procesi i integrimit në BE është prioritet. BE do të vazhdojë mbështetjen për procesin e reformave dhe monitorimin e standardeve”, tha Soreca.


(m.k/BalkanWeb)