Manjati Xhorxh Soros përgatitet të investojë në monedha virtuale, të konsideruara nga qeveritë perëndimore si asete aspak të sigurta. Vendimi mund të konsiderohet i çuditshëm, pasi vetë Soros në Forumin Ekonomik të Davosit në Janar, sulmoi me tone të ashpra monedhat virtuale.

Lajmi bëhet i ditur nga “Bloomberg”, ku shkruhet se Adam Fisher, menaxher i fondit familjar të Sorosit ka marrë aprovimin për të investuar në monedhat virtuale ku bëjnë pjesë Bitcoin, më e madhja ndër to.

Fondi familjar i investimeve të Xhorxh Sorosit arrin në 26 miliardë dollarë.

Vendimi konsiderohet i çuditshëm, pasi në Forumin Ekonomik të Davosit në Janar, Soros sulmoi me tone të ashpra monedhat virtuale.

Siç u shpreh ai, monedhat dixhitale janë shumë të paqëndrueshme dhe nuk mund të përdoren si monedha të zakonshme pasi mungojnë rregullat që garantojnë sigurinë e tyre.

Kjo deklaratë e Sorosit shkaktoi një rënie drastike të vlerës së Bitcoinit në Janar me rreth 4 mijë dollarë, duke thelluar edhe më tej tendencën e zhvlerësimit. Prej dhjetorit kur arriti rekordin e 19 mijë dollarëve, vlera e 1 bitcoini është me shumë se përgjysmuar në rreth 6500 dollarë.

Bitcoini dhe dhjetëra monedha të tjera virtuale kanë forma të sofistikuara gjenerimi dhe nuk emetohen nga institucione të caktuara, çka e bën investimin në to aspak të sigurt.

Miliarderi Warren Buffet dhe Jamie Dimon i JPMorgan kanë thënë se nuk do të investojnë në kriptomonedhë. Ndërsa bankat e Wall Street, Morgan Stanley dhe Goldman Sachs kanë qenë të hapur lidhur me përdorimin e monedhës virtuale.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: