NGA ARIAN GALDINI

Ne si shoqëri kemi kujtesë flopidisku. Mbushemi me përditshmëritë tona dhe harrojmë gjithçka të së
djeshmes. Mbushja e fundit është edhe dijenia e debati i radhës. Prandaj, biem në ripërsëritje, e rijetim të të njëjtave modele, kriza, madje edhe me të njëjtët protagonistë prej 25-26 vitesh.
I gjithë ky rezultat, ky rrëzim i kujtesës e si rrjedhim edhe i reflektimit tonë social, ka ardhur si pasojë e një administrimi molekular që i është bërë metamorfozës sonë, nga shoqëri diktatoriale, në një shoqëri të lirë.

Pati disa aktorë e faktorë që konkurruan a bashkëpunuan me njëri-tjetrin, për paketën e kontrollit në transformimin tonë.
Së pari, ka qenë vetë Byroja Politike e PPSH së bashku me Sigurimin e Shtetit, të cilët dorëzuan emrat por jo pushtetet.

Pothuajse të gjithë drejtuesit politikë të pluralizmit tonë partiak, të gjithë sipërmarrësit e asaj kohe e në vijim, të gjithë drejtuesit fetarë edhe ata të sindikatave e shoqërisë civile, të ardhur si nismëtarë, vinin nga strukturat e Partisë së Punës dhe Sigurimit të Shtetit.
Së dyti, kanë qenë shërbimet sekrete të vendeve fqinje dhe më gjerë, konkurrentët dhe bashkëpunuesit në procesin e transformimit.

Shqipëria me pozicion gjeostrategjik si 4 urat e Shijakut, ka qenë e mbetet një fushë veprimi ku shërbimet sekrete fqinje dhe më gjerë bëjnë Poker Spiunësh, të pareshtur.
Së treti, kemi mafien dhe krimin e organizuar si pjesëbërës aktivë në procesin e administrimit të transformimit tonë shoqëror.

Ka edhe të tjerë aktorë e faktorë, por kanë mbetur relativisht jo shumë ndikues ose së paku jo për kohë të gjatë.
Në gjithë këtë plan administrimi, ka qenë një ‘outsource’ (jashtëburimor) që ka lehtësuar dhe ka spekuluar pa pikën e gajles në 25-26 vite, duke ofruar para dhe ekspertizë për të gjithë administratorët e transformimit.

Ky ‘outsource’ ka qenë qartësisht Fondacioni Soros. Kur Shqipëria endej mes Qeverisë së Stabilitetit që po binte dhe jostabilitetit që po pllakoste, e vetmja fuqi që mundësonte në Shqipëri, para për bursa studimi, udhëtime, botime librash, trajnime, projekte etj., etj., ishte Fondacioni Soros.

Shteti shqiptar nuk kishte para as për të paguar policë e doktorë, e jo më të mbështeste zhvillime profesionale njerëzish të interesuar, dhe aq më pak nismat e organizatat civile.

Shumë njerëz u formuan, ngritën dhe lançuan, duke kaluar nga ura financiare e Fondacionit Soros.
Shoqëria Civile lindi dhe u zhvillua nën kujdesin e posaçëm të Fondacionit Soros.

Të gjitha këto ngritën një infrastrukturë të jashtëzakonshme me burime njerëzore, strukturore, akademike, politike dhe mediatike, të pangjashme e të pamatshme me çdo individ a strukturë tjetër të lindur e zhvilluar larg a jashtë urës financiare të Soros.
Të gjithë këta njerëz dhe të gjitha këto kapacitete financiare, akademike, politike, strukturore dhe mediatike, u ofruan nga Soros si shërbime mbështetëse për administratorët e transformimit të shoqërisë shqiptare.

Dhe, që të kuptojmë dëmin e madh, mjafton të shohim se çfarë ka ndodhur në këto 25-26 vite simbiozë mes administratorëve të transformimit dhe infrastrukturës Soros.

Të gjithë individët, njerëzit e ndihmuar, mbështetur apo pëlqyer nga infrastruktura Soros, u përfshinë në çdo qelizë të shtetit shqiptar, partive politike, shoqërisë civile, komuniteteve fetare dhe botës akademike. Ata e kanë si stigmë dhe ndjesi komuniteti dhe solidariteti me njëri-tjetrin, gjurmën e Sorosit në jetën e tyre.

Ndaj janë bërë me plan a pa plan, me qëllim a pa qëllim, si një grup i mbyllur që paraqet rrezik serioz për lirinë, demokracinë dhe meritokracinë.
Shoqëria Civile ka lindur si e vdekur. Asnjëherë nuk u bë realisht Shoqëri Civile. Sikurse e kam shkruar edhe më parë, Shoqëria Civile nga një thirrje, vokacion, misionarizëm vullnetar e guximi qytetar, u krijua dhe u zhvillua si një sektor punësimi që funksionon vetëm me para, shumë para, dhe me projekte hotelesh dhe komoditeti luksoz.

Ndërsa politika u bë dembele dhe e vyshkur. Partitë politike, duke mos e pëlqyer demokracinë e brendshme, u bënë kliente besnike të infrastrukturës Soros, për të mbushur radhët e tyre me intelektualë e fytyra të reja nga ata parafabrikatët që përgatit ndër vite Sorosi.
Me pak fjalë, transformimi ynë u bë kafkian… Nga shoqëri diktatoriale, ne nuk u bëmë shoqëri e lirë. Ne u kthyem në një shoqëri të hapur.

Shoqëria e hapur është pikërisht shoqëria pa kujtesë. Sepse shoqëria e hapur, në shkëmbim të lirisë, nuk jep reflektimin dhe guximin qytetar, por çelësin e infrastrukturës Soros.
Kush vjen nga Byroja Politike, shërbimet sekrete apo krimi, ka lejehyrje vetvetiu.
Të tjerët, ose duhet të kenë çelësin e infrastrukturës Soros për të hapur dyert, ose do shohin vetëm dyer të mbyllura a të përplasura turinjve.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb