DURRËS

Një turist italian është aksidentuar rëndë ndërsa ndodhej në jahtin e tij rreth 20 milje larg nga Durrësi. Burime për “BalkanWeb” thanë se rreth orës 22:40 Kapiteneria e Portit Durrës mori thirrjen për ndihmë nga krociera ‘MSC Magnifica’ ku një pasagjer kishte pësuar traumë të rëndë në kokë nga përplasja dhe kërkohej zbarkimi i tij i menjëhershëm për ndihmë mjekësore të specializuar.

Pas sinjalit ‘sos’ menjëherë u lajmërua Kapiteni i Portit dhe u vu në gadishmëri doktori i portit dhe Rimorkiatori ‘Joni’ si dhe ju dha urdhër krocierës MSC Magnifica të adresohej në Radën e Durrësit, në orën 23:15 rimorkiatori Joni doli nga Porti për ndihmë drejt Krocierës e cila po afrohej me shpejtësi 21 milje/ore, u rakordua nga kapiteni i Portit i cili ndodhej në bord të rimorkiatorit pika e takimit midis 2 mjeteve afër fenerit të Pilotit.

Pak minuta pas mesnate rimorkiatori u lidh në bordin e djathtë të krocierës dhe u bë e mundur kalimi në bord me barrelë portative i të sëmurit Matteo Sartori dhe të fejuarës që e shoqëronte Sonia Marcato. Burimet thanë se i sëmuri ndodhej në gjendje të rënduar dhe gjatë udhëtimit për në port u mbajt me maskë oksigjeni dhe serum, në 00:40 Rimorkiatori mbërriti në port dhe i sëmuri u zhvendos në ambulancën e Spitalit të Durrësit e cila priste në kalatë. U njoftuan autoritetet përkatëse që i sëmuri u nis drejt spitalit për t’i dhënë ndihmën e specializuar mjekësore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb