Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi sot në Prishtinë një takim me homologen Vjosa Osmani, në kuadër të kremtimit të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës. Presidenti Begaj e cilësoi 12 qershorin e vitit 1999 si një ditë të madhe, në të cilën u realizuan ëndrrat e popullit shqiptar.

“Ashtu siç ju e cilësoni një rilindje për Kosovën, unë mendoj se bashkë me rilindjen është dita e dhënies fund të padrejtësive”, – u shpreh Presidenti i Republikës. “Në ditë të mira e të këqija duhet të jemi bashkë pa nevojën e ftesave formale. Unë vij këtu si në shtëpinë time, ashtu siç ju vini në Shqipëri. Unë nuk do të mungoj asnjëherë në Kosovë, ashtu siç nuk kam munguar në asnjë aktivitet”, – u shpreh ndër të tjera Presidenti Begaj, duke rikonfirmuar mbështetjen ndaj Kosovës për finalizimin e aspiratës së ëndrrës së shqiptarëve për integrimin Euroatlantik.

“Shqipëria do të jetë kurdo, ngado e kurdoherë në mbrojtje të Kosovës. Nëse ne nuk përparojmë së bashku, do të jetë e pafalshme për shqiptarët, për martirët e lirisë”, – u shpreh Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj. Kreu i Shtetit e quajti Kosovën një histori suksesi dhe shprehu bindjen se krahas hapave të ndërmarra për të ecur përpara, duhet bashkëpunim me miqtë ndërkombëtarë të shqiptarëve dhe partnerëve strategjikë për të ndërtuar shtetin demokratik, për të cilin sakrifikuan jetën dëshmorët.

Një tjetër mesazh që Presidenti Begaj përcolli në këtë takim i drejtohej të rinjve shqiptarë dhe përpjekjes për edukimin e këtij brezi me trashëgiminë, në mënyrë që ata të vlerësojnë se sa e shtrenjtë është liria. “Nëse do te kishte një çmim Nobel për lirinë, ai duhet t’i jepej familjes Jashari”, – u shpreh Presidenti Begaj, duke vlerësuar veprën e sakrificës sublime për lirinë e shqiptarëve. Duke kujtuar sakrificën e shqiptarëve në të dyja anët e kufirit për Kosovën e lirë, Presidenti i Shqipërisë përcolli mesazhin për mbrojtjen të kësaj vlere, e cila, sipas tij, nuk dhurohet dhe nuk ka çmim, e si e tillë, ajo duhet të mbrohet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb