Sonte deri në orën 23:59 Inter ka mundësinë për të shfrytëzuar opsionin e blerjes në kontratë me Valencia-n për Joao Cancelo-n, e nëse kjo nuk ndodh nga nesër futbollisti do të jetë i spanjollëve.

Portugezi ka qenë një nga lojtarët kryesorë të Interit përgjatë sezonit, sidomos në pjesën e dytë, por për ta patur gjithmonë në organikën e tyre ziklatërit kanë kërkuar uljen e çmimit nga Valencia, që është 39 mln euro.

Në këtë pikë spanjollët nuk lëshojnë pe dhe kanë sqaruar se Inter duhet të bëjë të njëjtën gjë siç ata bënë me Kondobgia-n, duke e transferuar për çmimin që kishin rënë dakord më parë.

“Ka një marrëveshje që përfundon më 31 maj dhe Inter ka kohë deri në orën 23:59 për të blerë lojtarin. Klubi e di shumë mirë se çfarë pozicioni kemi mbajtur ne për të,” shprehet drejtori i përgjithshëm i klubit spanjoll, Mateu Alemany.

“Ashtu siç nuk kemi kërkuar për ulje për Kondogbia, nuk kemi ndërmend të ulim pretendimet tona për Cancelo. Tani i mbetet Inter-it për të marrë vendimin.”

Edhe Inter, me shumë mundësi nuk do ta shfrytëzojë klauzolën e blerjes përfundimtare, por kjo nuk do të thotë se do të heqë dorë nga Cancelo, thjesht pret dritën jeshile të UEFA-s dhe do të nisë një sulm tjetër për mbrojtësin.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb