TIRANE- Sot në orën 18:00, në Stadiumin “Qemal Stafa”, do të luhet derbi i kryeqytetit, mes Partizanit dhe Tiranës, e vlefshme për javën e 15-të të superligës.

Nën një atmosferë festive të dhuruar nga koreografia e tifozerive të të dyja skuadrave, Partizani dhe Tirana do të luajnë derbin e 140-të në histori. Në 139 ndeshjet e para, 54 herë ka fituar Partizani, 43 herë Tirana dhe 42 herë sfida është mbyllur në barazim. Edhe golavarazhi i përgjithshëm anon nga ana e Partizanit, që ka shënuar 197 gola në portën e Tiranës, ndërsa bardheblutë e kanë tundur 159 herë rrjetën e të kuqve. Barazimi 2-2 është rezultati më i përsëritur në këtë derbi, plot 27 herë. Rezultatet më të thella të arritura janë fitorja 8-0 e Partizanit në ndeshjen e parë derbi, dhe fitorja 7-3 e Tiranës në derbi përballë Partizanit të luajtur më 22 shtator 1985. Gjithësesi, shifrat i takojnë historisë e cila do të shkruhet vit pas viti, por sot për 90-të minuta këto shifra nuk vlejnë, pasi ajo që ka rëndësi sot është forca, përqëndrimi dhe saktësia e 22 futbollistëve që do të zbresin në fushë, si dhe padyshim dhe atmosfera që tifozët me koloritin e tyre do të mund të krijojnë, pasi siç kanë njoftuar drejtuesit e Partizanit të gjitha biletat janë shitur. Ervin Bulku kapiteni i bardhebluve në një prononcim të tijin, gjatë ditës së dielë është shprehur se prania e tifozëve është mjaft e rëndësishme, ndërsa kërkoi të qetësojë skuadrën dhe atmosferën, duke shtuar se rezultati i derbit nuk përcakton kampionatin. “Futbolli luhet për tifozët ndaj shpresoj të jetë dicka e bukur si në fushë edhe në shkallët e stadiumit”, tha Bulku. Sipas tij, “për Tiranën të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, sepse vlejnë tri pikë, por këtë rast fitorja merr tjetër vlerë për shkak të rivalitetit dhe objektivave që kanë të dyja skuadrat. Megjithatë është herët për të folur për titullin kampion”, tha ai.

Java 15-të, rezultate:
Skënderbeu-Teuta 3-2
Kukësi-Apolonia 0-0
Laçi-Flamurtari 1-1
Elbasani-Vllaznia 1-4

Klasifikimi: Skënderbeu 30 Pikë, Partizani 30 Pikë, Tirana 29 Pikë, Kukësi 28 Pikë, Vllaznia 21 Pikë, Laçi 21 Pikë, Flamurtari 19 Pikë, Teuta 13 Pikë, Apollonia 9 Pikë, Elbasani 6 Pikë. *Tirana dhe Partizani ende nuk e kanë luajtur javën e 15-të.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: