Nga: MENTOR KIKIA*
Sot është Dita e Tokës. E ‘sajuar’ për të dhënë alarmin për shkatërrimin e shtëpisë sonë të përbashkët. Si kudo, edhe në Shqipëri nuk mjafton një ditë, por do të duhej që cdo ditë të ishte Dita e Tokës. Sot shpërndahen poshtë e lart fletëpalosje me imazhe kompjuteri që tregojnë nje pemë të mbjellë, një lule që çel, apo gjëra të tilla. Sot padyshim që edhe zyrtarët shfaqen nëpër ekrane duke mbjellë ndonjë pemë.
Ndërsa unë dua t’ju përplas të gjithëve mu në surrat këtë fotografi. Nuk është larg. Eshtë lumi që i kalon mu në brinjë kryeqytetit tonë dhe mban emrin Tirana. Një lumë që sot ka më shumë mbeturina sesa ujë. Ja si e kemi bërë! Dhe kështu kemi shkatërruar, ndotur e qelbur çdo lumë e përrua në vendin tonë.
Dua t’ua përplas këtë foto në fytyrë çdo politikani, çdo ministri, çdo deputeti, atyre që janë, kanë qenë në qeveri, e që do të vijnë. Dua t’ia përplas çdo fshatari e qytetari, çdo të pasuri e të varfri, çdo burri e gruaje, të riu e të reje, plaku e fëmije. Sepse të gjithë ne e kemi bërë këtë, duke hedhur mbeturinat ku dhe si të mundemi, ku dhe si të duam. Nga ai njeriu një hedh një bidon, deri tek bashkia që shkarkon me kamion.
Të ulërasësh është pak!
Kjo nuk është dita e shfaqes, sot është ditë zie për tokën tonë.
(er.nu/BalkanWeb)