Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me studentë dhe pedagogë në qytetin e Vlorës, ka njoftuar hapjen e Akademisë së Aviacionit, një projekt që sipas tij synon të shndërrojë qytetin bregdetar në një qendër të arsimit dhe trajnimit të pilotëve në nivel rajonal.

Ai bëri me dije se sot firmoset një marrëveshje mirëkuptimi me një nga kompanitë më të mëdha të industrisë ushtarake, ndërsa shtoi se akademia do të ofrojë formim për pilotë të të gjitha mjeteve fluturuese dhe do të presë edhe studentë të huaj.

Rama tha gjithashtu se pritet së shpejti një marrëveshje me kompaninë italiane Fincantieri për zhvillimin e mëtejshëm të industrisë detare në Vlorë.

“Sot firmosim një marrëveshje mirëkuptimi me një nga kompanitë më të mëdha të industrisë ushtarake. Do të hapim në Vlorë Akademinë e Aviacionit dhe synimi është që të jenë të akademi rajonale, që të kemi edhe studentë të huaj që do të përgatisim pilotë për të gjitha mjetet e fluturimit.

Dhe më vjen shumë mirë se ky është hapi i parë, sepse pastaj duhet të fuqizojmë edhe pjesën tjetër që ka të bëjë me industrinë detare.

Kemi së shpejti edhe një marrëveshje tjetër me Ficanterin e Italisë për të rivitalizuar kantierët e mirëmbajtjes dhe ndërtimit të anijeve këtu në Vlorë”, tha ai.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb