Teksa gjykata është tërhequr për të marrë vendimin për fatin e vulës së Partisë Demokratike, zbardhen
konkluzionet e PD-së zyrtare në Apel. Në konkluzionet e depozituara sot në gjykatë, sqarohen disa prej pikave se pse duhet rrëzuar vendimi i gjyqtarit Agron Zhukri.

KONKLUZIONET
Nga sa analizuar dhe parashtruar më lartë rezulton e qartë që përvec shkaqeve të detajuara shkaqe bazë për pranimin e ankimit dhe pushimin e gjykimit janë:

-Rezulton e provuar që ankimi i paraqitur nga Nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Enkelejd Alibeaj i plotëson parakushtet formale për tu pranuar si një mjet ligjor si përfaqësues i subjektit Partia Demokratike e Shqipërisë.
-Tagrat e përfaqësimit të Nënkryetarit Enkelejd Alibeaj nuk kanë mbaruar në asnjë moment në kuptim të nenit 76 të Kodit të Procedurës Civile.
-Rezulton e pranuar gjyqësisht si në gjykimin në Apel dhe në Gjykatë të Lartë që kemi të bëjmë me një palë dhe konkretisht Partia Demokratike e Shqipërisë.
-Rezulton e provuar gjyqësisht që tagrat e përfqaësimit të PDSH-së i kanë pasur Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeja në vijimësi dhe se KPR nuk ka pasur në asnjë moment të vetëm tagra për përfaqësimin e PDSH-së.
-Rezulton e provuar që as në Statutitn e PDSH-së të vitit 2018 të regjistruar në 13.07.2021 dhe në Statutitn e PDSH të miratuar në 17.07.2021 dhe të pa pasqyruar në regjistrin e partive politike në momentin e shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë nuk ka asnjë organ të emërtuar Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit.
-Rezulton e provuar që mbledhja e “Kuvendit të PDSH-së” të datës 11.12.2021 është bërë në kundërshtim të hapur me dispozitat e Statutit të regjistruar të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe më konkretisht atij të vitit 2018 dhe të regjistruar në 13.07.2021.
-Gjykata ka legjitimuar kërkuesin përpara se të vendoste për ligjshmërinë e mbledhjes së Kuvedit Kombëtar, Kuvend në të cilin është krijuar kërkuesi si organ statutor i ngritur në kundërshtim me dispozitat e te gjithë akteve staturore në diskutim në këto diskutime.
-Gjykata ka vepruar në kundërshtim të hapur me nenin 392 të Kodit të Procedurës Civile, ndonëse kishte dijeni për ekzistencën e interesit të ligjshëm të një pale tjetër në gjykimin për vërtetimin e faktit juridik.
-Përfaqësuesi i kërkuesit është legjitimuar në gjykim në kundërshtim me dispozitat e nenit 72 të Kodit të Procedurës Civile.
-Akti i përfaqësimit të përfaqësuesit të KPR është lëshuar në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Civile
-Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka gjykuar pa pasur të administruar dhe pa u njohur me dosjen e regjistrimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
-Formularët mbi të cilët pretendohet së është bërë thirrja e Kuvendit Kombëtar, në momentin e nënshkrimit të tyre nuk kishin në brendësi të tyre datën dhe orën e thirrjes së Kuvendit Kombëtar: se këto të dhëna janë vendosur në një moment të mëpasshëm kohor në mënyrë mekanike të njëjtë për të gjithë formularët. Ky fakt cënon plotësimin e kushtit të vullnetit të kërkuesve për datën e thirrjes së Kuvendit Kombëtar.

-Nuk ka një organ administrues të procedurës së mbledhjes së formularëve, të hartimit të listës së përgjithshme të delegatëve, të lëshimit të mandateve të Kuvendit Kombëtar apo të drejtimit të fillimit të punimeve të tij.
-Propozimet që i janë adresuar Kuvendit Kombëtar janë në kundërshtim me dispozitat statutore që rregullojnë ndryshimet e statutit.
-Me miratimin e ndryshimeve statutore, pjesa e mbetur e vendimeve të marra nga Kuvendi Kombëtar nuk ishin më kompetencë e tij. Kuvendi i mbledhur duhet të shpërndahej e të mblidhej Kuvendi i ri sipas parashikimeve të Statutit të miratuar.
-Komisioni i Rithemelimit nuk ka tagra përfaqësimi në Gjykatë e për pasojë gjykata duhet të pushonte çështjen objekt gjykimi për mungesë legjitimiteti të kërkuesit.
-Komisioni i Rithemelimit i është drejtuar gjykatës si përfaqësues pa pasur tagra përfaqësimi pasi vendimi nr.6 datë 11.12.2021 është ratifikuar në datën 19.12.2021 ndërsa kërkesa drejtuar gjykatës ka qenë në datën 15.12.2021.
-Gjykata nuk ka analizuar provat nga ana e formës dhe përmbajtjes dhe relaton në vendim fakte të cilat nuk përputhen me provat që i janë nënshtruar gjykimit apo fakte të cilave nuk u gjendet burimi i marrjes dijeni nga gjykata.

Për sa më sipër kërkojmë pranimin e ankimit sipas objektit duke vendosur:
-Prishjen e vendimit numër 3, datë 25.03.2023
-Pushimin e gjykimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: