GJERMANI

Në intervistën e tij për “DeutscheWelle” ku informon për takimet në Gjermani dhe mesazhet nga Berlini, lideri i opozitës Lulzim Basha dthotë se i përket brezit të ri. I pyetur nga gazetarja nëse ka përgjegjësi për gjendjen e vendit si pjesëmarrës i një qeverie të mëparshme, Basha thotë se nuk ka bërë kurrë kompromis me krimin edhe kur kjo gjë i ka sjellë faturë politike partisë. Ndaj ai thotë se përfaqëson atë që i duhet Shqipërisë.

Basha thekson se është sot në Berlin si një partner i besueshëm i Gjermanisë, sot si kryetar i opozitës dhe nesër, në drejtimin e një qeverie europiane.

Megjithatë pajtoheni dhe ju dhe nuk jam unë e vetmja që mendoj se, tek e fundit, edhe ju, duke qenë pjesëmarrës i një qeverie të mëparshme, keni edhe ju përgjegjësinë tuaj për gjendjen e vendit apo jo? Ndoshta është një zgjidhje që, përveç zotit Rama, ndoshta dhe ju, me të tjerë persona që, nuk po them janë konsumuar, por e kanë dëshmuar aftësinë e tyre qeverisëse, të largohen për t’i lënë vend brezit të ri?

Unë jam brezi i ri. Do apo nuk do zoti Rama apo lakejtë e tij, unë jam brezi i ri. Unë kam ardhur si pjesë e brezit të ri dhe përfaqësoj vlerat europiane të besimit tek demokracia, tek zgjedhjet e lira e të ndershme. Jam njeri që kurrë nuk kam bërë kompromis me krimin, edhe kur kjo i ka sjellë faturë politike partisë sime. Në këtë kuptim, jam i bindur se përfaqësoj atë qe i duhet Shqipërisë: një politikë të ndarë nga krimi dhe vullnet politik për të mos kompromentuar interesin e shqiptarëve për shkak të karriges.

Pra, qartësisht, nuk jemi njësoj dhe të barabartë. Kemi një qeveri që qeveris prej 6 vjet e gjysmë, kemi një opozitë dhe një kryetar opozite që ka luftuar kundër krimit të organizuar, kundër kanabizimit, kundër aferave të tmerrshme korruptive, kur askush nuk e hapte gojën.

Prandaj ndodhem sot këtu, si përfaqësues i një gjenerate të re të shqiptarëve, si një njeri që ka privilegjin dhe përgjegjësinë të drejtojë një parti politike dhe një opozitë, të bashkuar rreth vlerave, programit dhe vizionit europian për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Kjo është arsyeja pse ndodhem këtu, si një partner i besueshëm i Gjermanisë, sot si kryetar i opozitës dhe nesër, me besimin e qytetarëve shqiptarë, në drejtimin e një qeverie europiane, me zgjedhje të lira e të ndershme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: