Bluzat e bardha janë takuar sot për herë të dytë me përfaqësues të qeverisë, për të diskutuar nga afër 4 kërkesat e tyre.
Gazetari Erjon Skëndaj raporton për ‘BalkanWeb’ se takimi ka filluar nëKryeministri, ku të pranishëm do janë një përfaqësi me mjekë dhe infermierë të përbërë nga 10 persona, pjesëtarë të Sindikatës së mjekëve si dhe përfaqësues të qeverisë.
Po ashtu mësohet se sot do të diskutohet parimisht dhe do të miratohen në parim 4 kërkesat e bluzave të bardha, ku 3 prej tyre varen nga qeveria, pasi kanë të bëjnë me aspektin ekonomik.
Kërkesat e mjekëve:
-Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm
-Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën edhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.
-Rritje të vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.
-Personeli shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet optimale në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjitha standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
(BalkanWeb)