VATIKAN – Kleriku shqiptar At Gjergj Fishta ka vdekur më 30 dhjetor të vitit 1940 dhe Radio Vatikani e ka përkujtuar e nderuar sot, veprën e këtij njeriu të shquar. “Të flasësh për Fishtën dhe veprën e tij, duhen shumë fjalë, shumë kohë, shumë mahnitje, shumë kureshtje, shumë gërmime, shumë dëshmi..,”- shkprehet Radio Vatikani.

Gjergj Fishta, lindur më23. 10. 1871 dhe vdekur më 30. 12. 1940, lindi në fshatin Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871 në familjen e Ndokë Simon Ndocit dhe Prendës të Lazër Kaçit prej Kotrri. Në pagëzim u quajt Zekë. Ishte pagëzimi i parë. Në “të dytin”, kur vendosi t’ia kushtojë gjithë jetën Zotit në Urdhërin e Fretërve të vegjël, e ndërroi emrin me një tjetër, i cili do të bëhej i pamort për gjithë ata, që e duan Shipërinë: u quajt Atë Gjergj Fishta!

Të flasësh për Fishtën dhe veprën e tij, duhen shumë fjalë, shumë kohë, shumë mahnitje, shumë kureshtje, shumë gërmime, shumë dëshmi… Vetëm bibliografia e veprës së tij përfshin me qindra tituj, që shtohen çdo ditë…

Ndërmjet dy datave më të rëndësishme të jetës: lindjes e vdekjes, ai bëri aq, sa rrallë herë ka bërë kush për Shqipërinë. Në të gjitha drejtimet e mundshme: nga letërsia, tek diplomacia ndërkombëtare. Çudi si i doli jeta për të lënë pas një pasuri kaq të madhe, ai që s’kishte tjetër gjë pas shpirti veç zhgunit të vrashtë të Shën Françeskut. E që mbeti deri pa varr!

E tepërt, të radhisim këtu veprat, që e lartuan në majat e epikës e, sidomos, të satirës, jo vetëm shqiptare, atë që vendas e të huaj e quajtën “Homeri i fundit”.

Në përfundim të këtij përkujtimi tejet të shkurtër, nuk mund të harrojmë edhe se mendjet më të ndritura të kohës kërkuan për Fishtën epitetet më të zgjedhura, që të shprehnin admirimin e tyre, duke nisur nga Lasgushi, pena e madhe lirike e të cilit i dhuroi pendës gjeniale epike një titull të denjë: “Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar”.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: