58 vite pritje për t’i dhënë fund mallkimit. E gjithë Anglia është sy e zemër nga Berlini, aty ku Southgate dhe të besuarit e tij synojnë të rikthejnë futbollin në shtëpi. Dështuan tre vite më parë për ta bërë diçka të tillë, për më tepër dështuan në Wembley, por tani kanë një tjetër shans, një tjetër finale. Në konferencë për shtyp, Southgate shmangu çdo diskutim në lidhje me të ardhmen e tij apo gjithçka ka të bëjë jashtë finales:
“Emocionalisht, është e pamundur për mua të marrë një vendim, objektivi im i vetëm preh afro dy vitesh është vetëm si të fitojë këtë turne. Kemi një mundësi të shkëlqyer këtë të diel për të arritur këtë objektiv, një objektiv që e kemi vendosur menjëherë sapo u larguam nga Katari”, u shpreh Southgate duke shtuar:
“Jam i vendosur të drejtoj këtë ekip ashtu siç kemi bërë deri këtu. Fakt është që ne kemi përmirësuar imazhin e futbollit anglez, por për sa kohë nuk e kemi fituar ende një trofe do të ketë gjithnjë pyetje brenda dhe jashtë vendit”, theksoi trajneri i Anglisë duke bërë dhe një fund një koment mbi finalen, çfarë ndeshje pret:
“Duhet të kontrollojmë mirë emocionet, duhet të jemi të përgatitur. Unë e di shumë mirë se nga rezultati i kësaj finaleje do të varet edhe mënyra se si do të na shohin të tjerët”, u shpreh Southgate.
Në krah të Southgate ishte edhe kapiteni Harry Kane: “Të fitojmë këtë finale do të thotë shumë për mua dhe për vendin tim. Jam shumë i lumtur për mundësinë e shkëlqyer që kemi për të bërë të lumtur tifozët tanë. Do të jetë një betejë e vërtetë, shpresoj që të rikthejmë trofeun në Angli. Kam shumë uri, jemi përgatitur mirë dhe jemi shumë pozitiv. Do t’i shkëmbeja me kënaqësi të gjithë golat e mi për këtë trofe”, theksoi ndër të tjera Harry Kane në konferencë për shtyp.
(BalkanWeb)