TIRANE – Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, në një deklaratë për shtyp fajësoi kryeministrin Rama se ka mashtruar shqiptarët në lidhje me rritjen ekonomike.

Nga selia e PD, Spaho tha se Rama ka përzënë investitorët e huaj për oligarkët që ka rrotull vetes.

“Edi Rama ka përkeqësuar ekonominë e familjeve shqiptare. Mungesa e investimeve dhe përqëndrimi i ekonomisë në disa klientë të kryeministrit kanë ndikuar për keq në ekonomi.

Nuk ka rritje reale që të çojë në hapjen e vendeve të punës. Statistikat e Ramës se rritja ekonomike është 4.45%  janë përpjekje të tij për të mashtruar shqiptarët.

E vërteta është ndryshe. Numrat janë të pagabueshëm. Ekonomia shqiptare rezulton keq e më keq me një rritje minimale, 2.5%.

Rritje do ketë kur të ketë investime serioze, kur Rama mos ta japë Shqipërinë me koncesion për klientët e tij dhe mos përzërë investitorët për oligarkët,” u shpreh Spaho.

Duke cituar edhe raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit të pak ditëve më parë, nënkryetari i PD u shpreh se s’ka vende të reja pune e për këtë arsye shqiptarët nuk bëjnë dot as pushime modeste në këtë sezon turistik.

“Sipas DASH këto po ndodhin në Shqipërinë e Edi Ramës, prandaj s’ka konkurrencë të ndershme, prandaj s’ka vende të reja pune, prandaj shqiptarët nuk kalojnë dot as pushime modeste.  Alternativa e PD e siguron këtë gjë me taksa të ulëta e rritje ekonomike,” tha Spaho.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: