Opozita përmes protestave lokale që nisin më 4 shkurt dhe asaj që kulmojnë më 16 shkurt në Tiranë, synon largimin e Edi Ramës nga pushteti dhe krijimin e një qeverie transitore, e cila të mund të garantojë zgjedhje të lira. Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, thotë për “Gazeta Shqiptare” se opozita nuk po lufton për pushtetin e saj, por sipas tij, vendi është zhytur në krizë ekonomike dhe sociale. Ai akuzon se qeveria “Rama” ka asgjësuar çdo liri, ndaj tregon se si duhet të funksionojë qeveria transitore që sipas tij nuk ka rëndësi se çfarë ngjyre politike do të ketë, e majtë apo e djathtë. Funksionari i lartë i PD-së flet për përgatitjet e zgjedhjeve lokale, bashkëpunimin me LSI-në dhe rrugët që rikthejnë PD-në në pushtet.

Z.Spaho, opozita ka ftuar qytetarët në një protestë të madhe kundër qeverisë më 16 shkurt. Çfarë do ndodhë atë ditë?
Opozita ka ftuar qytetarët të protestojnë për krizën politike, ekonomike dhe sociale me të cilën po përballen prej shumë kohësh si dhe për indiferencën e qeverisë. Mazhoranca e sotme është ilegjitime, sikurse del edhe nga publikimet e “Zërit të Amerikës” për zgjedhjet e vitit 2017. Mjafton ky fakt për t’i dhënë kauzë çdo lëvizjeje qytetare. Ne kemi jo vetëm një qeveri të dalë nga lidhjet me krimin dhe drogën, por edhe një qeveri të pangopur, e cila po u zhvat njerëzve taksat që mblidhen në buxhet. Mjaft t’i referohesh skandalit për tenderin e Unazës së Re, ku një kompani mashtruese fiton me kosto 20 milionë euro/km. Se sa thellë kanë hyrë në këtë skemë vjedhjeje, e tregon edhe anulimi së fundmi i tenderit të dytë, pasi një kompani e paparashikuar paraqiti një çmim rreth 6 milionë euro më të ulet për një km. Pavarësisht se janë kapur me presh në duar, qeveria nuk heq dorë nga vjedhja e këtyre fondeve, pasi me sa duket, edhe haraçi është paguar. Qytetarët shqiptarë nuk gjejnë punë në vendin e tyre dhe i janë drejtuar masivisht emigracionit. Rreth 400 mijë shqiptarë janë larguar gjatë 6 viteve të sundimit të Edi Ramës, duke qenë vendi me emigracionin më të lartë në Europë. Skandalet dhe korrupsioni nuk kanë të sosur. Para disa ditësh një OJQ sllovene publikoi të dhëna që familja e kryeministrit është e përfshirë në dallavere me shitjen e energjisë elektrike. Prej dhjetëra ditësh protestojnë studentët për kushtet e vështira mësimore dhe tarifat e larta, po kështu protestohet në Unazë, nga artistët, minatorët, naftëtarët dhe në qytete të tjera të vendit. Në këto kushte nuk do ishte logjike që opozita të mos u drejtohej qytetarëve që ata të vijnë e protestojnë për të shprehur pakënaqësinë e madhe dhe zemërimin që kanë me këtë qeveri.

Çfarë udhëzimesh po u jepni qytetarëve gjatë takimeve që po zhvillojnë deputetët dhe zyrtarët e lartë të PD-së? Sa i mundur është rrëzimi i Edi Ramës nga pushteti?
Qëllimi i takimeve me qytetarët në të gjitha bashkitë e vendit është të mobilizojmë çdo forcë të mundshme për të marrë pjesë në protestat vendore që do organizohen deri në 10 shkurt në të gjithë vendin, por veçanërisht të sigurohet pjesëmarrje masive në protestën e datës 16 shkurt në Tiranë. Pjesëmarrja masive dhe qëndresa deri sa të arrihet objektivi do jenë dëshmi e krizës së thellë që ka kapur vendin dhe nevojës për të gjetur një zgjidhje.

Opozita kërkon zgjedhje pa Edi Ramën kryeministër dhe krijimin e një qeverie transitore. Por, a duket kjo paksa si e parealizueshme?
Nëse njerëzit janë të vendosur, gjithçka është e mundshme. Prandaj po u drejtohemi qytetarëve për të marrë fatin e tyre në dorë. Në asnjë vend të botës nuk do mund një qeveri të mbijetonte nëse me prova tregohet se ka manipuluar dhe vjedhur jo një, por tri palë zgjedhje nga viti 2013. Pas fakteve të publikuara mbrëmjen e së mërkurës, nuk besoj se ka dyshim për atë që opozita ka pretenduar prej 6 vitesh se Edi Rama ka ardhur në pushtet me krimin e organizuar dhe mbahet në pushtet nga ta dhe financimet e drogës.

Çfarë nënkupton PD-ja me qeveri transitore? Si është menduar që të jetë kjo qeveri e re?
Qeveri tranzitore do të thotë qeveri me njerëz të përgjegjshëm, të cilët të bëjnë të mundur plotësimin e të gjitha kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Nuk ka rëndësi ngjyra që do ketë ajo, e rëndësishme është që të largohet Edi Rama, i cili është armiku numër një i zgjedhjeve të lira dhe demokracisë në Shqipëri.

A mund të jetë e PS-së, qeveria kalimtare, e cila pritet të çojë vendin drejt zgjedhjeve të lira?
Asnjë problem nuk kemi me këtë. Ne nuk duam pushtet në tavolinë. Ne kërkojmë garanci që zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme, jo nën presionin e grupeve kriminale, vota të mos shitet e blihet, administrata dhe policia të shikojnë punët e tyre dhe të mos merren me zgjedhjet, që kutitë të mos mbushen nga të fortët, që mos falsifikohen procesverbalet, që të mos blihen komisionerët dhe një sërë fenomenesh negative, të cilat i dhanë Ramës në qershor 2017 pushtet të pamerituar.

Në 17 maj 2017 u krijua një qeverisje disi e përbashkët për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por sipas opozitës, zgjedhjet u manipuluan dhe nuk pasqyruan realitetin në Shqipëri. A mund të përsëritet sërish e njëjta situatë?
Ne nuk mund të lejojmë që të përsëritet e njëjta situatë. Në vitin 2017 i dhamë besimin Edi Ramës dhe ai abuzoi në mënyrën më të turpshme. Rama e ka humbur besimin e opozitës dhe zgjedhje me të nuk do të ketë, pasi ai i vjedh dhe manipulon zgjedhjet për të mbetur me çdo kusht në pushtet.

Si do të alternohet aksioni opozitar përmes protestave, me rrugën parlamentare?
Aksioni opozitar i protestave do të kombinohet me luftën në parlament. Parlamenti është një mundësi shumë e mirë për të komunikuar me njerëzit, ku me fakte do të vazhdojmë të tregojmë kalbësirën dhe korrupsionin e Rilindjes dhe nevojën për një ndryshim politik dhe shoqëror.

Çfarë po bëni për përgatitjet e zgjedhjeve të 30 qershorit, a kanë nisur propozimet e kandidatëve për kryetar të bashkive?
Sikur thashë me sipër, ne do të vijmë në pushtet vetëm me zgjedhje. Për rrjedhojë, po punojmë për ngritjen e shtabeve elektorale në të gjitha nivelet drejtuese të PD-së. Paralelisht po testojmë opinionin publik për të zgjedhur kandidaturat me përfaqësues dhe që mund të fitojnë përkrahjen e sa më shumë segmenteve të votuesve. Shpejt do të njiheni me emrat e atyre që do përfaqësojnë opozitën në të gjitha njësitë vendore.

A janë të duhurit për opozitën, që premtojnë fitore me 30 qershor, Jorida Tabaku në Tiranë dhe Gazmend Oketa në Durrës?
Nuk mund të flas për emra të përveçëm, sepse ende nuk jemi në këtë fazë dhe vendimet për to merren nga kryesia e Partisë Demokratike.

A ka nisur PD diskutimet me aleatët, në mënyrë të veçantë me LSI-në për zgjedhjeve e kandidatëve? A ka dakordësi mes palëve për zonat apo për emra të veçantë për garën e 30 qershorit?
Ne në zgjedhje do të dalim së bashku. Çdo forcë politike po bën bilancin dhe po evidenton mundësitë se ku është më e fortë. Mbi këto baza do përcaktojmë zonat ku do përfaqësohet çdo parti, duke u mbështetur nga të gjitha partitë e tjera.

Si do të vijë PD-ja në pushtet dhe a është ajo gati të qeverisë ndryshe shqiptarët?
PD është forca me formimin më modern në shoqërinë tonë. Ne jemi forca politike që zhvillojmë zgjedhje të rregullta brenda nesh dhe forcën për të zgjedhur ia kemi kaluar anëtarësisë. Në këtë mënyrë ne garantojmë që jemi forcë institucionale, e cila kur të jetë në pushtet, do të respektojë institucionet dhe ndarjen e tyre. Së dyti, PD ka bërë rinovim të ekipit drejtues. Askush nuk mund të akuzoje askënd në Partinë Demokratike për lidhje me krimin e organizuar apo se është i korruptuar dhe ka abuzuar me fonde publike. Këto janë garanci që ata të cilët do të drejtojnë nesër, do të kenë në qendër të punës së tyre interesin publik. Së treti, Partia Demokratike u ka paraqitur qytetarëve shqiptarë një program, i cili synon të adresojë problemet me të cilat ndeshet Shqipëria, të zhvillojë ekonominë, të hapë vende pune, të sigurojë të ardhura për çdo individ që të ardhmen ta shikojnë këtu dhe jo në emigracion. Politikat tona për taksë të sheshtë 9%, mbështetje të bujqësisë, arsimit, dhënies fund të PPP janë realiste dhe garantojnë zhvillim ekonomik e social afatgjate.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb