TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka deklaruar në Parlament se negociatat nuk janë hapur dhe as janë shtyrë në qershor 2019 për Shqipërinë. Sipas tij, qeveria Rama ka ngelur në klasë me testimin më të rëndësishëm të Shqipërisë në Europë.

Ai tha se “Shqipërisë nuk iu hapën negociatat me BE-në, sepse nuk u përmbushën pesë prioritetet, madje këtë radhë prioritetet nga pesë u bënë 13”.

Spaho theksoi qëndrimin e opozitës tek pastrimi i parave të pista, që sipas tij drejtohet nga kryeministri Rama.

“Negociatat nuk u hapën, qeveria feston, kjo është absurde. Shqipëria është kthyer në lavatriçen më të madhe të pastrimit të parave në botë. Me se do ndërtohen kullat, ku gjenden paratë? Ndërtimet me vetë financim? Ku qenka kjo gjë, në asnjë ekonomi tregu në botë nuk ndodh, por këto janë para të drogës dhe të krimit. Po rritet ndërtimi, po nga vijnë paratë? Ra kursi i këmbimit, sa euro kanë hyrë në vend? Krimi i organizuar ka lidhje me qeverinë. Ata që thonë se është eleminuar kultivimi i kanabisit, thjesht gënjejnë”, shtoi Spaho.

Duke folur në emër të grupit Parlamentar të PD-së, ai deklaroi se janë pesë kushte pse BE-ja nuk i hapi negociatat me Shqipërinë.

“Cila është e vërteta e mos hapjes së negociatave? Në qershor të vitit 2016, Europa na vendosi pesë kushte dhe shpresonim që negociatat të hapeshin në vitin 2017. Sot, na ka vendosur 13 kushte dhe shpresojmë të hapen në vitin 2019. Kemi humbur tre vjet nga viti 2016 dhe gjashtë vite kur Rilindja erdhi në pushtet dhe as bëhet fjalë të hapen negociata dhe me këtë qeveri nuk do hapen as në vitin 2021. Së dyti, krimi i organizuar dhe mpleksja me qeverinë. Pak kohë më parë kishte ministër të Brendshëm Saimir Tahirin të lidhur me bandat kriminale të Vlorës. Së treti, pastrimi i parave dhe Shqipëria është kthyer në vendin e pastrimit të parave të pista. Së katërti, është kanabizimi i vendit. Së pesti, Shqipëria është kthyer në krye të vendeve që dërgon azilantë në BE”, tha Spaho.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb