SPAK ka dërguar për gjykim dosjen për ish-drejtoreshën e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi, dy vëllezërit e dënuar për drogë Besjan e Leonard Ramaj dhe biznesmenin Ardjan Malasi, të akuzuar për pastrim parash. Sipas dosjes hetimore, Dashi kishte arritur të ndihmonte në pastrimin e 1.2 mln euro pasuri të vëllezërve të saj, në bashkëpunim me biznesmenin në fjalë përmes akteve të shitjeve fiktive për qëllime të justifikimit të burimit të ligjshëm. Kjo veprimtari kriminale rezulton të ketë vazhduar nga viti 2010 e në vijim deri në vitin 2023.
Ndërkohë ka kërkuar nga Gjykata e Posaçme konfiskimin e pasurive të sekuestruara më heret si:
12 (dymbëdhjetë) apartamente në qytetin e Fierit;
1 (një) dyqan prej 300m 2 në qytetin e Fierit;
1 (një) pasuri e paluajtshme, ullishte, me sipërfaqe 5.200 m, ndodhur në Mallakastër;
4 (katër) apartamente në qytetin e Tiranës;
3 (tre) ambiente me funksion garazh në qytetin e Tiranës;
1 (një) shoqëri tregtare;
2 (dy) automjete;
Me anë të një njoftimi SPAK sqaron se Dashi akuzohet për “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, ndërsa Besjan Ramaj, Leonard Ramaj dhe Ardjan Malasi akuzohen për kryerjen e veprave penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
“Sipas akteve të dërguar nga autoritetet e drejtësisë belge, përmes letërporosisë dhe nga hetimet e kryera në lidhje me të dhënat e përftuara nga këto akte rezulton se të pandehurit, Besjan Ramaj dhe Leonard Ramaj, vëllezër mes tyre janë dënuar nga autoritetet belge në vitin 2021 për vepra penale të lidhura me narkotikët, ndërsa i pandehuri Besjan Ramaj rezulton të jetë dënuar për vepra të njëjta penale në vitin 2012, nga autoritetet e drejtësisë norvegjeze”, thote SPAK.
E pandehura Rajmonda Dashi është përfshirë në disa veprime të kryera pas vitit 2018, në bashkëpunim me të pandehurit Besjan Ramaj dhe Ardjan Malasi, e cila për shkak të kohës së përfshirjes në këtë veprimtari, rolit dhe veprimeve të kryera prej saj, rezulton se ka vepruar në kuadër të bashkëpunimit të thjeshtë dhe jo atij të veçantë.
“Veprimet e tyre kanë konsistuar kryesisht a) në transferimin e pasurisë me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme; b) fshehjes ose mbulimit të pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; c) fitimit të pronësisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; ç) kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave; d) investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale dh) përdorimit të shoqërive tregtare, përmes lëshimit të faturave fiktive për të transferuar lehtësisht paratë”, thote SPAK.
4 muaj në krye të kadastrës së Durrësit
Rajmonda Dashi u emërua në krye të Kadastrës në Durrës në gusht të 2021, ndërsa më herët kishte mbajtur postin e drejtoreshës së Kadastrës në Krujë.
Ajo u emërua pas largimit nga detyra të Viola Hima e cila e mbajti këtë post për 4 muaj. Kaq muaj zgjati dhe koha e detyrës për Rajmonda Dashin në krye të Kadastrës së Durrësit, pasi në dhjetor të 2021, vetë drejtori i Përgjithshëm i Kadastrave, i asaj kohe Artan Lame i kërkoi Dashit të dorëzojë dorëheqjen.
(BalkanWeb)