Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur ditën e sotme për të hedhur një tjetër hap drejt ngritjes së Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Në rend dite ishte një pikë e vetme, përkatësisht “Miratimi i projekt-vendimit ‘Për miratimin e listës me renditjen e kandidatëve për prokurorë në SPAK’”.


Relatori i Komisionit të Posaçëm për SPAK, Sandër Beci, ka paraqitur raportin mbi kandidatët e SPAK, që lidhet vetëm me dosjet e përfunduara të kandidatëve dhe jo me ato që janë ende nën hetim. Komisioni ka vendosur të përjashtojë nga gara kandidatin Gëzim Cena, me argumentin se nuk plotëson kriteret.


“25 kandidatë plotësonin kushtet ligjore dhe mund të vazhdonin procesin. Gëzim cena nuk plotëson kushtet për të vijuar garën. Ai nuk ka qenë asnjëherë prokuror i Republikës së Shqipërisë. Sipas ligjit, magjistrati duhet të ketë ushtruar detyrën si prokuror për jo më pak se 10 vjet. Ndaj dhe Cena nuk mund të plotësojë kriteret”, tha Beci.


Komisioni i Posaçëm ka miratuar një metodologji vlerësimi me pikëzim për secilin kandidat në përputhjen me “Rregulloren për ngritjen e SPAK” e miratuar në seancën plenare të KLP.

Procesi është mbikëqyrur përgjatë ecurisë së tij nga misionet ndërkombëtare EURALIUS dhe OPDAT.

Komisioni Posaçëm ka vlerësuar letrën e motivimin, aktet rreth procedimeve penale të kandidatëve, informacionet nga burimet e hapura, përveç dokumenteve të prezantuara nga kandidatët.

Komisioni Posacëm ka vlerësuar gjithashtu kriterin profesional të integritetit dhe vendosmerisë së kandidatëve.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se KLP do të nxjerrë në listën përfundimtare vetëm 15 prokurorë, që do të vijojnë garën për në SPAK. Të gjithë këta prokurorë do duhet të kalojnë më parë Vettingun që të bëhen pjesë e SPAK, në të kundërt hapa gara për të tjerë prokurorë.

(BalkanWeb)

Etiketa: