Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka diskutuar sot pezullimin e çështjes “Xibraka” nga SPAK gjatë një interviste në emisionin “Open” në News24.
Bardhi tha se në informacionin që kishte dorëzuar në SPAK, kishte kërkuar hetimin e rolit të policisë dhe prokurorisë në menaxhimin e çështjes.
“Sot që flasim, edhe vetë SPAK e pranon se ka autorë të pazbuluar,” deklaroi ai. Po ashtu, Bardhi theksoi se pas 10 vitesh, prokuroria ende nuk ka arritur të zbulojë se si ka hyrë sasia e materialeve që përmbante kokainë në Xibrakë, një çështje që mbetet e pazgjidhur.
Kreu i Grupit të PD shprehu shqetësimin për vonesën dhe mangësitë në hetimin e këtij rasti, duke nënvizuar nevojën për një hetim të thelluar dhe transparent për të sqaruar rolin e institucioneve të drejtësisë në këtë ngjarje.