Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është duke kryer verifikime për rolin e ish-ministres së Mbrojtjes, zonjës Olta Xhaçka në lidhje me të paktën dy tendera që ajo ka zhvilluar gjatë kohës që drejtonte institucionin e mbrojtjes.
Për këtë shkak SPAK e ka thirrur zonjën Xhaçka dhe e ka marrë në pyetje si person që ka dijeni në lidhje me këto tendera. Burime të besuar pranë Prokurorisë së Posaçme bënë me dije për News24 se zonja Xhaçka është marrë në pyetje lidhur me një tender që ka të bëjë pikërisht me blerjen e 300 mijë maskave mbrojtëse për Forcat e Ushtrisë të cilat u angazhuan dhe patrullonin në rrugët e kryeqytetit dhe jo vetëm, gjatë kohës që Shqipëria ishte në karantinë, pra pranverën e vitit 2020.
Sipas tenderit të firmosur nga znj. Xhaçka rezulton se atë kohë Ministria e Mbrojtjes kishte porositur të paktën 300 mijë maska, por më pas për arsye ende të paqarta dhe që po hetohen nga SPAK ky tender është rinegociuar dhe numri i maskave është ulur në 100 mijë të tilla. Për këtë arsye SPAK ka dyshime se përmes këtij tenderi mund të jenë kryer shkelje të barazisë në tendera apo mund të ketë dhe vepra të tjera penale. Për këtë shkak pasi ka marrë në pyetje të gjithë anëtarët e komisionit ka ftuar në pyetje dhe zonjën Xhaçka, e cila sikurse thuhet nga burime të SPAK është kryer nga oficerja e Policisë Gjyqësore Elona Dautaj për afro 40 minuta diku në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Prokuroria e Posaçme është duke zhvilluar njëherazi edhe hetime sa i përket tenderit të blerjes së ushqimeve për familjet në nevojë që iu dha një firme nga Maqedonia e Veriut e cila nuk kishte asnjë eksperiencë në këtë fushë, por merrej kryesisht me çështje të kompanive celulare.
SPAK ka dyshime se ka pasur shkelje të barazisë në tendera, por edhe dyshime për korrupsion apo shpërdorim detyre lidhur me këtë tender dhe konkretisht tenderi rezulton të jetë firmosur në prill të vitit 2020. Nga informacionet që disponoj edhe pse janë tejet të rezervuara zonja Xhaçka ka pretenduar se për shkak se forcat e ushtrisë u angazhuan të patrullonin në rrugët e Shqipërisë në kuadër të përballimit të pandemisë COVID-19, Ministria e Mbrojtjes zhvilloi këtë tender dhe porositi 300 mijë maska mbrojtëse. Më pas sipas saj, duke qenë se Ministrisë së Mbrojtjes iu dhuruan maska të shumta nga partnerë të ndryshëm, por dhe nga përfaqësi diplomatike në vendin tonë, për këtë arsye ajo u detyrua të rinegocionte tenderin për shkak se maskat mund të ngeleshin stok, ndërkohë që sipas saj fondi mund të përdorej për çështje më emergjente.
Për këtë shkak u bë një rinegociim i kontratës me të njëjtën kompani që kishte fituar tenderin i cili ishte tender i drejtpërdrejt për shkak të situatës që diktoi pandemia e COVID-19 dhe kompania e pranoi ofertën e Ministrisë së Mbrojtjes, për këtë arsye u vijua më atë. SPAK është duke marrë në pyetje edhe zyrtarë apo ish-zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë dijeni për këtë tender nëse ka pasur shkelje. Nëse zonja Xhaçka do të rezultojë e pastër nga kjo histori, automatikisht atëherë për vartësit e saj çështja mund t’i delegohet prokurorisë së Tiranës, por në momentin që flasim është duke u verifikuar roli i saj, të paktën në këtë tender që rezulton me firmën e saj.
Pranverën e 2020 ishte PD ajo që iu drejtua me një kallëzim penal SPAK-ut duke pretenduar se Ministria e Mbrojtjes dhe zonja Xhaçka kishte kryer shkelje të shumta dhe sipas PD kishte abuzime me tenderat që po zhvilloheshin në kuadër të pandemisë. Bëhej fjalë fillimisht për tenderin e ushqimeve të Ministrisë së Mbrojtjes për familjet në nevojë që sipas opozitës, ishte një tender korruptiv.
SPAK nisi hetimet edhe pse nuk regjistroi emrat e zyrtarëve nën hetim, por çeli hetimet pas dyshimeve për korrupsion, shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Në momentin që oficerët e policisë gjyqësore zbarkuan në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes krahas tenderit për pakot ushqimore, u sekuestrua edhe praktika për tenderin për blerjen e maskave mbrojtëse. Gjatë hetimit dhe shqyrtimit të dokumentacionit, SPAK ka ngritur dyshime që mund të ketë edhe shkelje ligjore në rastin e tenderit në fjalë.
Për këtë arsye të dyja praktikat e tenderave u bashkuan në një dhe janë duke u hetuar nga SPAK. Zonja Xhaçka ka dhënë shpjegime të detajuara përballë oficeres Dautaj. Mbetet për t’u parë nëse do gjenden prova që SPAK ta implikojë zonjën Xhaçka. Për tenderin për blerjen e pakove ushqimore për familjet në nevojë SPAK ka marrë në pyetje të gjithë anëtarët e komisionit dhe persona që kanë dijeni, por deri tani nuk ka konkluzion. SPAK ka konfirmuar se do të shtrijë hetimet edhe për tendera të tjerë që janë zhvilluar nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes gjatë kohës së pandemisë.