Avokati Arbër Hoxha në rubrikën “Çështja e Ditës” të gazetarit Klevin Muka në News24, duke folur lidhur me komunikimin e akuzës nga SPAK për ish-Kryeministrin Sali Berisha, tha se nga momenti i sotëm kreu i PD-së është i pandehur.
Hoxha tha se SPAK ngriti akuzën e korrupsionit pasiv ndaj ish-Kryeministrit për shkak se vepra penale e shpërdorimit të detyrës është parashkruar. Hoxha tha se SPAK do e ketë më të vështirë të provojë akuzën e korrupsionit pasiv, por kemi handikapin ligjor, pra atë që “shpërdorimi i detyrës” është parashkruar, që e ka detyruar të ngrejë akuzën zyrtare.
Hoxha tha se shkak se SPAK ka marrë kohën më të madhe për hetimet është fakti se dosja ndaj Berishës është e lidhur me atë të dhëndrit, Jamarbër Malltezi.
Duke sqaruar procedurat ligjore, Hoxha tha se z. Berisha mund t’i drejtohet prokurorëve se nuk është dakort me akuzën. “SPAK është i detyruar që t’i kthejë përgjigjen. Kemi një procedurë, që nis me një afat 10 ditë, më pas SPAK çon dosjen në GJKKO.
Mendoj se brenda një periudhe 20-25 ditë, gjykatësi paraprak duhet të shprehet nëse janë hetimet të plota ose jo, mund të lerë detyra të tjera ndaj SPAK, ose mund të mbyllë fare çështjen”, tha Hoxha.
Në vijim, ai tha se procedurialisht brenda këtij viti mund të mësojmë fatin e z. Berisha brenda vitit nëse ai hyn në procesin e gjykimit të shkurtuar.
“Nëse zhvillohet gjykimi i zakonshëm, mendoj se në fund të vitit 2025 mund të kemi një vendimmarrje të GJKKO të shkallës së parë”, tha Hoxha.
Avokati tha se tani janë kushtet dhe rrethanat për të ndryshuar masën e sigurimit, pasi nuk ka më asnjë rrezik që Berisha mund të prishë provat, përsa kohë hetimi është mbyllur dhe provat janë mbledhur.