Analisti Ergys Mërtiri, në një intervistë me Skype në News 24 komentoi aktualitetin politik në vend. Mërtiri tha se SPAK po godet politikanët e establishmentit. Ai u shpreh se e shikon qeverinë dhe opozitën të distancuar nga problemet e qytetarëve.

“Qeveria prej kohësh iu shërben oligarkëve dhe jo qytetarëve. Kryeministri Rama qeverisjen e ka online. Rama nuk ka çfarë t’ju thotë më qytetarëve. Edhe Berisha nuk ka çfarë t’ju thotë qytetarëve, përkundrazi ai iu bllokon trafikun shqiptarëve. Berisha sulmon të vetmin institucion që po sulmon të korruptuarit, SPAK. Mazhoranca dhe opozita janë të distancuara nga qytetarët”, tha Mërtiri.

Më tej, Mërtiri u shpreh se partitë e reja duhet të sillen me pjekuri politike. Sipas tij, partitë e reja në skenën politike shqiptare duhet të bashkohen.

“Partitë e reja kanë përfituar nga rrjetet sociale. Partitë e reja duhet të sillen me pjekuri politike. Ata duhet të bashkohen e të jenë një pol. Endri Shabanin e shoh më të predispozuar për bashkim. Shehajn dhe Qorin i shoh si kapriçozë. Rama e Berisha po luajnë mirë lojën e vet, edhe pala tjetër duhet të bashkohet që të bëjë mirë pjesën që i takon. Bashkimi nuk është pazar, kjo është detyrë, është veprim patriotik. Duke mos u bashkuar, vota e tyre nuk prodhon mandate”, tha ai.

Mërtiri vlerësoi se SPAK ka hapur rrugën për një politikë ndryshe.

“Mes Ramës dhe Berishës, unë do votoja Berishën. Rama është më i keqi. Por edhe Berisha qëndron nga ana e së keqes. Sot kemi mundësinë e një politike antiestablishment, pasi SPAK po godet politikanët e establishmentit. SPAK ka hapur rrugën për një politike të re. SPAK i ka dhënë mundësinë politikës shqiptare që të pastrohet, duke goditur njerëzit më të korruptuar të sistemit. Të largojmë të vjetrit, jo se janë të vjetër, por se janë fajtorë për korrupsionin në mbi 30 vjet. PD është kalbur nga Berisha. Edhe PS duhet ta largojë Ramën, pasi pjesa më e madhe e ministrave të tij janë sot në burg. Partitë e reja kanë shans të artë për pol më vete. Nëse bashkë pastaj marrin 25 përqind të votave, atëherë PD do detyrohet që të reformohet dhe të largojë Berishën. Më pas, ekziston mundësia që të përmbyset Berisha, e nëse përmbyset Sali Berisha, përmbyset më pas edhe Edi Rama. Berisha nuk do përmbysjen e Ramës, do që të jetë numri 2, që të mos bjerë në burg”, u shpreh ai.

Gjithashtu, Mërtiri theksoi se nuk ka dëgjuar opozitën të bëjë tashmë kritika për projektin e Sazanit, pasi Berisha sa duket nuk do që të kritikojë Trump, tek i cili ka një shpresë, se do ta shpëtojë nga burgu.

“Opozita nuk kam dëgjuar që të kërkojë transparencë, që projekti i Sazanit të bëhej me garë. Projekti duhet të bëhej me garë dhe kërkohej investitor dhe kush është më i mirë duhet të bëhej ai investitori. Berisha sa duket nuk do që të kritikojë Donald Trumpin, sepse ka shpresë që ai do ta shpëtojë nga burgu”, përmbylli Mërtiri.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb