Prokuroria e Posaçme ka publikuar sot raportin vjetor të punës së saj për vitin 2024. SPAK ka renditur si suksese në ushtrimin e funksioneve goditjet ndaj krimit të organizuar, arrestimi i zyrtarëve të lartë të përfshirë në vepra korruptive.
844 persona janë nën hetim nga kjo prokurori, 328 janë procedime të reja, 412 janë hetuar me masë sigurimi arrest me burg. SPAK thekson se në gjykatë janë dërguar rreth 34% e të hetuarve. Janë regjistruar 43 procedime për krime zgjedhore dhe 29 për vepra terroriste.
SPAK evidenton se ka përdorur përgjime për 163 procedime penale, ndërsa gjatë vitit 2024 janë përgjuar 3096 telefona. “Krahasuar me 2023, numri i përgjimeve më i ulët”, thuhet në raport.
Janë ekzekutuar 2046 vendime gjykate.
Ndërkohë, janë identifikuar 16 grupe kriminale të rrezikshme ndërsa Sky ECC mundësoi identifikimin e 9 grupeve.
“Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, Prokuroria e Posaçme ka ndjekur një qasje aktive duke hetuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të lartë. Gjatë vitit 2024, rezultojnë ish – 33 zyrtarë të lartë nën hetim (ku dy prej tyre janë të regjistruar në dy procedime të ndryshme secili), nga të cilët 19 zyrtarë janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim. Nga numri total i ish-zyrtarëve të lartë nën hetim, 19 prej tyre janë dërguar në gjykatë, që përfaqëson 52,9% të rasteve.
Lidhur me volumin e çështjeve nën hetim për veprat penale në fushën e korrupsionit, gjatë vitit 2024, Prokuroria e Posaçme ka shënuar një rritje me rreth 8% krahasuar me vitin paraardhës (nga 447 çështje nën hetim për vitin 2023 në 483 çështje nën hetim për vitin 2024). Po kështu, është rritur me rreth 20%, edhe numri i personave të cilët që kanë qenë nën hetim për vitin 2024 në krahasim me ata të vitit paraardhës (nga 212 persona nën hetim në vitin 2023, në 257 persona nën hetim në vitin 2024). Rritje në masën rreth 8% ka shënuar gjithashtu, edhe numri i hetimeve të përfunduara dhe të dërguara për gjykim në krahasim me vitin 2023 (nga 38 në vitin 2023, në 41 në vitin 2024)”, thuhet në raport.
SPAK thekson gjithashtu se ka patur edhe presione të jashtme ndaj Prokurorisë së Posaçme nga krimi i organizuar, aktorë politikë dhe mediatikë të cilët cenojnë pavarësinë e tij Kushtetuese dhe efektivitetin në hetime.
“Ndërhyrjet e jashtme rrezikojnë gjithashtu, integritetin e prokurorëve dhe të procesit hetimor. Për të garantuar pavarësinë e SPAK-ut si dhe mbështetje për prokurorët në çështje të ndjeshme, nevojitet një reagim më i koordinuar dhe në kohë i të gjitha institucioneve të cilat kanë përgjegjësinë e mbrojtjes së integritetit të SPAK”, thuhet në raportin e Prokurorisë së Posaçme.
Grupet kriminale
Raporti i SPAK për vitin 2024 vëren se grupet kriminale shqiptare kanë rol të madh në tregjet ndërkombëtare, në trafikun e drogës dhe trafik të qenieve njerëzore.
Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme vëren se grupet kriminale kanë rol edhe në krimin kompjuterik.
(BalkanWeb)